16 Οκτωβρίου, 2019

PAQJA ËSHTË GJITHMONË E MUNDSHME

Διαδώστε:

Prof. Dr. Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës

Dhuna më tragjike në ditët tona është keqpërdorimi i termit “paqe” nga njerëz që realisht nuk besojnë në të. Por, megjithatë, dëshira e njeriut për bashkekzistencë paqësore në rang botëror mbetet permanente. Çdo përpjekje për të ripërtërirë interesimin për paqen dhe për t’u thelluar në kuptimin e saj është një kontribut shumë i vyer në ecurinë e njerëzimit.
Shqipëria, për shumicën nga ne, gjatë rrjedhës së shekullit të 20-të,siç është e njohur, u përball me shumë sprova e kryesisht vuajti një persekutim ateist të tejzgjatur. Prej vitit 1991, ka përqafuar lirinë fetare dhe njëkohësisht kultivon bashkekzistencën paqësore midis komuniteteve fetare, si dhe me ata njerëz që nuk i përkasin ndonjë komuniteti fetar. Kujtimet e dhimbshme nga gjakderdhjet e shekullit të kaluar bashkë me dy luftërat botërore dhe konfliktet e përgjakshme në fund të shekullit në Ballkanin Perëndimor, e fuqizuan dëshirën për paqe në të gjitha format e saj.

Në formën e një hyrjeje, do të doja të theksoja dhe të flisja shkurtimisht për pesë pika:
1. Që të bëhet e mundur ajo çka në pamje të parë duket si e pamundur, pra mbizotërimi i paqes së përbotshme; këtu një rol të rëndësishëm luajnë edhe komunitetet fetare. Në mënyrë analoge me drejtimet, që pasuesit e tyre marrin prej bindjeve fetare, komunitetet mund të mbështesin ose të minojnë paqen në nivel lokal, rajonal ose botëror. Pra, që paqja të bëhet realitet, një prerogativë e domosdoshme për këtë qëllim është paqja midis feve.
Çështja e paqes midis feve që dialogojnë midis tyre me mirëkuptim të ndërsjellë, është qartësisht komplekse dhe, sigurisht, që në këtë pikë nuk kemi asnjë dëshirë për të bërë sinkretizëm. Respekti i vërtetë për lirinë fetare të çdo personi njerëzor dhe për dinjitetin e tij, mbetet themeli i fortë i bashkekzistencës paqësore. Në shtresat e doktrinës së feve të mëdha ndodhen elementë të rëndësishëm dhe frymëzime paqeprurëse, të cilat duhet të zbulohen me kujdes, të përdoren dhe të rezultojnë produktive për një paqe të përbotshme. Zërat paqësorë që dalin nga mushkëritë e feve botërore duhet të intensifikohen dhe të ekspozohen në mënyrë permanente, me anë të predikimit, katekizmit, ligjëratave, me çdo lloj forme komunikimi.
Sigurisht, që të gjitha nismat për dialog midis feve dhe kulturave do të japin ndihmesën e tyre në arritjen e këtij qëllimi. Ne i jemi mirënjohës të gjithë atyre që përpiqen për këtë synim, veçanërisht Komunitetit të San Exhidios, për përpjekjet e tij sistematike dhe frymëzuese gjatë dekadave të fundit.
2. Ndërgjegjja fetare, me larminë e formave të saj, ka aftësinë të kontribuojë me mënyra të ndryshme në zhvillimin e prirjeve paqeprurëse dhe në përgjithësi, në kultivimin e paqes në nivel lokal dhe global.
Në pjesën më të madhe të traditave fetare gjejmë: Së pari, një kërkim për paqe të brendshme. Së dyti: ne mbështesim uljen e kurbës së agresivitetit. Karakteristika e përbashkët e tretë është pasja e marrëdhënieve paqësore me Realitetin e epërm, qoftë kur konceptohet si Perëndi personal ose jo personal. Së katërti, fetë kanë caktuar parime që lehtësojnë bashkëjetesën paqësore brenda çdo grupimi të veçantë shoqëror. Dhe në fund fare, bëhen përpjekje për ruajtjen e paqes përtej komunitetit konkret, me mbarë njerëzimin.
Të gjithë sa besojmë në mënyrë të ndërgjegjshme, duhet të hulumtojmë dhe promovojmë një theologji dhe antropologji paqësore, duke nxjerrë përfitime prej pasurisë së doktrinave tona fetare dhe prej faqeve më të mira të historisë së traditave tona fetare. Njëkohësisht, duhet të theksojmë edhe detyrimin e çdo njeriu për t’iu kundërvënë dhunës dhe të punojmë për pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në planet. Në veçanti brezi i ri, ka nevojë për një edukim të ndërgjegjshëm paqësor, të ushqyer dhe të frymëzuar nga burime fetare shpirtërore.
3. Kërkimi i paqes presupozon mbrojtje konstante dhe fuqizim të drejtësisë. Në çdo kohë, por veçanërisht në epokën tonë, marrëdhënia që paqja ka me drejtësinë po del në pah në mënyrë shpërthyese. Kjo marrëdhënie haset në shumë fe. Dëshira e sinqertë për paqen në nivel lokal dhe global, shprehet me dëshirën e vërtetë dhe me përpjekjen për drejtësi. Një botë e padrejtë nuk mund të jetë paqësore. Sot, paqja dhe drejtësia kanë marrë edhe një tjetër sinonim: progresin. Të gjithë mundemi dhe duhet të kontribuojmë për zhvillimin e zonave më të varfra. Varfëria mbetet forma më e keqe e dhunës. Kur njerëzit, pranë ose larg nesh, privohen nga gjërat e domosdoshme për mbijetesë, nuk është çudi të kthehen në drejtime të tjera dhe të përqafojnë koncepte ekstremiste për arritjen e një shoqërie të drejtë dhe për t’i dhënë kuptim jetës dhe vdekjes.
Më konkretisht, në lidhje me problemin e terrorizmit që dominon vitet e fundit, mendojmë se shoqëritë perëndimore, që disponojnë fuqi ekonomike, shkencore dhe ushtarake, duhet t’i bëjnë vetes një autokritike krijuese. Të shikojnë më qartazi përgjegjësinë dhe detyrimin e tyre në dimensionet e reja globale. Paqja dhe siguria, për të cilat flasim të gjithë, do të arrihen me përpjekjen tonë për paqe sociale dhe zhvillimin e shoqërive më të varfra të planetit ku jetojmë. Do të ishte tragjike, shpirtërisht dhe politikisht, që për shkak të neglizhencës ose arrogancës, të lejojmë të zhvillohet një proletariat i ri, shumëformësh, që do të ngrejë krye dhunshëm, duke shpërdoruar “energjinë atomike” të një tradite fetare konkrete.
4. Ajo që shpesh lihet në harresë- ndërkohë që përbën bërthamën e paqes – është se ndërgjegjja fetare duhet të promovojë faktin që paqja zë fill përbrenda nesh, në thellësi të qenies njerëzore. Lidhet me përulësinë, faljen, lirinë nga urrejtja, nga hidhërimi, zilia. Ajo lulëzon me anë të lidhjes së vazhdueshme me Perëndinë e paqes. Veçanërisht kuptimi i krishterë i paqes së brendshme është më i thellë dhe më i gjerë sesa apatia e stoikëve. Nuk kufizohet në indiferencën për sa ndodh rreth nesh. Duke ruajtur paqen tonë të brendshme do të jemi të aftë të jetojmë me të tjerët “nëse është e mundur për ju, duke pasur paqe me të gjithë njerëzit” (Rom.12:18).
5. Dhe pika e fundit, e kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi: ai individual, kolektiv, etnik, racor. Egocentrizmi mobilizon forma të shumëllojshme dhune, të cilat e vrasin paqen me mënyra të ndryshme. Ky është frymëzuesi dhe ushqyesi i konflikteve, qofshin këto vogla ose të mëdha, të cilat i bombardon me urrejtje të vazhdueshme.
Antidoti ndaj egoizmit nuk janë moralizimet me fjalë përgjithësuese dhe inkurajuese. As formulimet juridike dhe mekanizmat e shtypjes. Ky antidot është fuqizimi i dashurisë, i një dashurie shumëdimensionale, praktike, të painteres, që nuk njeh kufij, paragjykime dhe çdo lloj tjetër diskriminimi. Pikërisht këtu gjendet mundësia e jashtëzakonshme dhe kontributi i një ndërgjegjeje fetare të shëndetshme. Ky antidot, madje edhe në kushtet e konflikteve afatgjata, fal fuqinë e faljes dhe të pajtimit. Si përfundim, fuqia e dashurisë fiton mbi dashurinë për pushtet, që shkatërron planetin.

* *

Secili nga ne, në përpjekjen për paqen, udhëhiqet në përputhje me trashëgiminë fetare që ka, si dhe merr frymëzim e fuqi nga ky besim personal. Veçanërisht, tek ata që janë pasues të feve monoteiste, mbizotëron siguria se paqja është dhuratë e Perëndisë dhe se njeriu ftohet ta përftojë dhe të bashkëpunojë në fuqizimin e saj, me respekt ndaj çdo personi njerëzor, pavarësisht bindjeve politike, fetare apo të llojeve të tjera.

Përpjekja për paqe të thellë përbrenda nesh, me ambientin natyror, në komunitetin tonë, me të gjithë universin, duhet të jetë detyrë parësore për ne dhe në shekullin e 21-të, ky duhet të jetë kërkimi ynë primar, me sigurinë se Perëndia është paqe. Perëndia është gjithnjë me paqebërësit, duke i frymëzuar dhe mbështetur ata në përpjekjen dhe në mundimin e tyre për paqen.

 

Διαδώστε: