20 Ιουλίου, 2019

Parimet e Veshjes së Krishterë

Διαδώστε:

Në çfarëdo lloj moshe burra dhe gra dëshirojnë të zbukurojnë dhe stolisin trupat e tyre. Edhe kjo sigurisht nuk ka kaluar pa rënë në sytë e Shkrimit të Shenjtë dhe Etërve të Kishës. Kisha e Shenjtë dhe Etërit kanë i kanë bërë thirrje shpesh të Krishterëve të vishen thjesht dhe modest duke qëndruar larg zbukurimeve me ar apo me rroba të shtrenjta. Kjo thirrje del në pah pikërisht në kohën që po jetojnë kur modestia dhe thjeshtësia janë bërë demode dhe lakuriqësia dhe sensuliteti janë bërë modë. Kjo përmbledhje e shkurtër që po prezantojmë në këtë shkrim ka për qëllim të sjellë ndër mend sërish kujdesin që duhet të tregojmë për sa i përket veshjes dhe zbukurimit të trupit tonë bazuar në mësimin e Kishës dhe të Etërve të Shenjtë.

Parimi i parë: Aparenca dhe veshja janë një indeks i rëndësishëm i karakterit të Krishterë.

Veshjet dhe aparenca janë komunikuesit më të fuqishëm joverbal jo vetëm për statusin tonë socio -ekonomik por gjithashtu për vlerat tona morale. Kjo do të thotë se aparenca e jashtme është një tregues i rëndësishëm i karakterit të Krishterë. Shkrimi i Shenjtë i kushton vëmendje rëndësisë së veshjes dhe zbukurimeve duke rregjistruar tregime, alegori si dhe paralajmërime të shumta. Pamja jonë e jashtme përbën dëshmi të dukshme të vlerave të krishtera. Disa njerëz vishen dhe zbukurojnë trupat e tyre me veshje dhe bizhuteri të shtrenjta për të kënaqur veten e tyre. Ata duan të admirohen për pasurinë, pushtetin apo statusin e tyre social. Disa të tjerë vishen sipas modës për tu pëlqyer të tjerëve. Megjithatë, i Krishteri vishet për të lavdëruar Perëndinë. Veshjet janë të rëndësishme për të Krishterët sepse shërbejnë si kornizë për të zbuluar pamjen e Atij që ne i shërbëjmë. Si të Krishterë ne nuk mund të themi: Se si dukem unë, nuk ka çfarë i duhet njeriu, sepse se si ne dukemi reflekton tek Zoti ynë. Shtëpia, makina, pamja ime e jashtme, përdorimi i kohës dhe parave gjithçka reflekton se si Zoti ka ndryshuar jetën time nga brenda dhe jashtë. Kur Zoti hyn në jetën tonë Ai nuk mbulon cenet tona me pudër kozmetike por Ai na pastron tërësisht duke punuar nga brenda. Kjo rëpërtirtje e brendshme reflektohet në pamjen e jashtme.  Dëshmia më efektive ndaj ndryshimit që Zoti ka sjellë brenda nesh nuk është buzëqeshja e shtirur në fytyrën e një gruaje të veshur në mënyrë provokuese, por buzëqeshja reale në fytyrën e një gruaje të veshur siç duhet. Një pamje e jashtme me rroba ekstravagante dhe makiazh, me bizhuteri të shndritshme nuk zbulon ndriçimin spontan të një personaliteti teocentrik, por një imazh artificial, të marrë, të një personaliteti egocentrik.

Parimi i dytë: Zbukurimi i trupave tanë me kozmetikë shumngjyrësh, bizhuteri ari, dhe rroba firmato zbulojnë krenarinë dhe kotësinë e brendshme që janë shkatërruese për veten tonë edhe për të tjerët. Profeti Isaia qorton gratë e pasura Hebreje për krenarinë e tyre të shfaqur nëpërmjet zbukurimit të trupave të tyre nga koka te këmbët me bizhuteri dhe veshje të shtrenjta. Ato joshën drejtuesit e vendit të cilët më pas shtynë gjithë vendin në mosbindje dhe u bënë shkak për ndëshkimin hyjnor: “Me qenë se vajzat e Sionit janë fodulle dhe ecin qafëpërpjetë dhe me vështrime provokuese, duke ecur me hapa të vogla dhe duke bërë të tringëllojnë unazat që mbajnë te këmbët e tyre, Zoti do të godasë me zgjebe majën e kokës së vajzave të Sionit dhe Zoti do të nxjerrë në shesh turpet e tyre. Atë ditë Zoti do të heqë stolinë e unazave të kyçeve të këmbës, diejtë e vegjël dhe hënëzat, vathët, byzylykët dhe velot, çallmat, zinxhirët e vegjël te këmbët, rrypat e brezit, enët e parfumeve dhe hajmalitë, unazat, xhevahiret për hundë rrobat për festë, mantelet e vogla, shallët dhe çantat e vogla, pasqyrat, këmishëzat, kapuçët dhe robëdëshambrët. Dhe do të ndodhë që në vend të parfumit të ketë kalbësira, në vend të brezit një litar, në vend të kaçurelave shogësi, në vend të një veshjeje të kushtueshme një thes i ngushtë, një damkë zjarri në vend të bukurisë” Isaia 3:16-26.

Në Shkrimin e Shenjtë Jezebeli qëndron si personifikim për përpjekjen e saj për të joshur Izraelitët në idhujtari. Degradimi i brendshëm i saj del në pah edhe në çastin e fundit të jetës së saj, duke pikturuar sytë dhe zbukuruar veten me rastin e mbërritjes së Mbretit të ri Jehu: “Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë” 2Mbret 9.30. Por Mbreti nuk ishte i marrë dhe ajo vdiq në një mënyrë poshtëruese.  Për shkak të kësaj emri i saj u bë simbol i “joshjes” në historinë Biblike. Profeti Ezekiel dramatizon apostazinë e Izraelit dhe Judës nëpërmjet alegorisë së dy grave Oholahu dhe Oholibahu të cilat ashtu si Jezebeli lyen sytë e tyre dhe zbukuruan veten ashtu si Jezebeli për të joshur njerëz të kurvëronin me to siç na tregohet te Ezekieli kap 23. Përsëri në këtë alegori ne shohim se kozmetiket dhe zbukurimet janë të lidhura me joshjen, kurvërinë, apostazinë dhe ndëshkimin hyjnor.

Portretizimi profetik i apostazizë së Izraelit si një grua e përdalë e zbukuruar dhe e mbushur me bizhuteri na përshkruhet nga Shën Joan Theologu në librin e Zbulesës: “Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj. Kjo grua e përdalë që përfaqëson pushtetin politico – religjioz apostat të kohëve të fundit, josh banorët e tokës për të kryer kurvëri shpirtërore me të.

“Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj” 17:4. Nga krahu tjetër, nusja e Krishtit që përfaqëson Kishën e Shenjtë, është veshur thjesht me lir të ndritshme dhe të pastër pa makiazh. Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t`i japim Atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur! Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve“. 19:7, 8.

Në të dyja Dhiatat ne shohim se përdorimi i kozmetikave shumëngjyrëshe, bizhuterive të çmuara, makiazhet, veshjet e modës kanë si qëllim joshjen. Kjo mënyrë veshje dhe qëllimi zbulon dënimin e Zotit për përdorimin e tyre. Në Dhiatën e Re ne shohim Apostull Pavlin dhe Petron që këshillojnë gratë dhe vajzat e krishtera të qëndrojnë larg veshjeve të papërshtashme ndryshe nga gratë e botës. Të dy Apostujt japin këshilla se si duhet të vishet një vajzë a një grua e krishterë: “Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta, po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmërisë” 1 Timotheut 2:9-10. “Stolia juaj të mos jetë e jashtme; gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë”1 Petros 3:3,4.

Parimi i tretë: Për të përjetuar ripërtëritje të breshme shpirtërore dhe pajtim me Perëndinë, domosdoshmërisht duhet të heqim të gjitha objektet e jashtme, duke përfshirë bizhuteritë dhe zbukurmet e ndryshme. Ne e gjejmë këtë të vërtetë të shprehur veçanërisht nëpërmjet përvojës së familjes së Jakovit në Sikem dhe Izraelitëve në Malin Horeb. Në të dy shembujt u hoqën zbukurimet e jashtme për tu pajtuar me Perëndinë. Në Sikem, Jakovi u bëri thirrje antarëve të familjes së tij për të hequr zbukurimet e tyre të jashtme dhe perënditë e huaja.

Atëherë Jakovi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të; hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja, pastaj të ngrihemi dhe të shkojnë në Bethel dhe unë do t’i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë time dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë, si mënyrë për të përgatitur veten për një pastrim të brendshëm shpirtëror në altarin që ai synonte të ndërtonte në Bethel. Përgjigjja e tyre ishte pozitive: Zan 35:4” Atëherë ata i dhanë Jakovit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në vesh dhe Jakovi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.

Në Malin Horeb Perëndia u kërkoi Izraelitëve të hiqnin të gjitha stolitë si provë e pendimit të tyre të sinqertë ndaj adhurimit të kaut të artë: “Hiqi stolitë e tua dhe kështu unë do të di çduhet të bëj me ty” Eksodi 33:5. Përsëri, përgjigjja e popullit ishte positive -kështu bijtë e Izraelit i hoqën stolitë e tyre, që nga nisja e tyre nga Mali Horeb e tutje. Na bie në sy fraza – nga Mali Horeb e tutje që do të thotë se Izraelitët tashmë të penduar bënë një betim në Malin Horeb të mos vazhdonin më me përdorimin e zbukurimeve të jashtme për të treguar dëshirën e tyre të sinqertë për t’iu bindur Perëndisë. Si në Sikem ashtu dhe në Malin Horeb heqja e stolive të jashtme u bë përgatitje ndaj një ripërtëritje të përkushtimit ndaj Perëndisë. Këto përvoja na mësojnë se zbukurimi i jashtëm kontribuon ndaj rrebelimit ndaj Perëndisë duke nxitur vet pëlqimin, dhe heqja e tyre lehtëson pajtimin me Perëndinë duke inkurajuar qëndrimin e përulur. Kështu është e rëndësishme për ne të kujtojmë se për të përjetuar nje reformim dhe ripërtëritje shpirtërore ne duhet të heqim nga zemra jonë idhujt që strehojmë në të, ska rëndësi nëse janë stoli, veshje të papërshtatshme, kozmetike, makinë apo shtëpi a të tjera gjëra luksi dhe t’i zëvendësojmë ato me përkushtimin ndaj Perëndisë.

Parimi i katërt: Të Krishterët duhet të vishen në mënyrë dinjitoze dhe modeste, duke treguar respekt për Perëndinë, veten dhe për të tjerët. Ky parim gjendet në fjalët e Shën Pavlit në termat që ai përdor në Letrën e 1 të Timotheut Kap 2:9, jo me ar a margaritarë, a me rroba të shtrenjta për të përshkruar pamjen e jashtme të papërshtatshme të grave të krishtera. Ai i këshillon gratë e Krishtera për mënyrën se si ato duhet të vishen: “Po ashtu edhe gratë të stolisin veten e tyre me rroba të ndershme, me cipë dhe modesti, pa shkaktuar turp ndaj Perëndisë, vetes, dhe të tjerëve”.

Ne mund të dhunojmë kodin e veshjes së Krishterë të modestisë edhe duke neglizhuar aparencën personale edhe duke i dhënë rëndësi të tepërt asaj. Një nga Etërit e Kishës i këshillon të Krishterët të vishen thjesht dhe hijshëm që as të mos bëhen subjekt i të rënit në sy por as të vishen me rroba të pista. Të vishesh thjesht dhe hijshëm do të thotë që rrobat që mban të mbulojnë mjaftueshëm trupin me qëllim që të mos bëhesh shkak për tundim nga të tjerët.  Ky parim vlen pikërisht për kohën e sotme kur moda e veshjeve moderne i kundërvihet modestisë dhe hijeshisë dhe nxit krenarinë dhe sensualitetin.  Kisha e Shenjtë ju bën thirrje bijve dhe bijave të saj të vishën thjesht dhe hijshëm jo vetëm për të parandaluar mëkatin por gjithashtu për të ruajtur intimitetin. Qëllimi i modestisë është jo vetëm për të parandaluar dëshirat epshore por gjithashtu për të ruajtur dicka që është shumë e brishtë dhe madje esenciale në një mardhënie martesore; aftësinë për të mbajtur një mardhënie të thellë, intime me bashëkshortin apo bashkëshorten. Duke qënë se martesa që kurorëzohet në Kishë ka qëllim të zgjasë përgjithmonë ashtu siç Zoti dëshiron, atëherë gruaja dhe burri duhet të punojnë së bashku për të ruajtur, mbrojtur, dhe ushqyer intimitetin.

Parimi i pestë: Të Krishterët duhet të respektojnë dallimet gjinore në veshje, duke veshur rroba që afirmojnë   indentitetet e tyre mashkullore apo femërore.  Ky parim na mësohet në Librin e Ligjit të Përtërirë kap 22: 5 që ndalon veshjen e seksit të kundërt: “Gruaja nuk do të veshë rroba burrash, as burri nuk ka për të veshur rroba grash, sepse kushdo që bën gjëra të tilla neveritet nga Zoti, Perëndia yt”.  Në Shkrimin e Shenjtë i kushtohet mjaft vëmendje ruajtjes së dallimeve gjinore jo vetëm në veshje por gjithashtu edhe në rolet funksionale, sepse janë esenciale ndaj kuptimit tonë se kush jemi dhe se çfarë roli Perëndia dëshiron që ne të përmbushim. Veshja përcakton identitetin tonë dhe na ndihmon të zhvillojmë një identitet të ri. Jo vetëm që është e vërtetë se ne jemi çfarë veshim, por gjithashtu ne bëhemi çfarë veshim.  Një grua që dëshiron funksionin e një burri, pa dyshim do të vishet si burrë. Po kështu një burrë që dëshiron të trajtohet si grua do të veshë pothuajse artikuj femërorë si bizhuteri, parfumë, dhe rroba me zbukurime.  Kjo do të thotë se kur turbullojmë dallimet gjinore duke veshur rroba që nuk përcaktojnë gjini, ne humbasim gradualisht identitetin tonë femëror apo mashkullor dhe përjetojmë një konfuzion dhe krizë identiteti të roleve. Në e shohim këtë konfuzion të roleve në kohën që jetojmë në shtëpi, në punë, ku tashmë është e vështirë të thuash se ku përfundon roli i burrit dhe ku nis roli i gruas. Të Krishterët duhet të kuptojnë përpjekjet që bëhen sot për të shfuqizuar dallimet mashkullore dhe femërore, veçanërisht përmes popullaritetit të veshjeve që nuk përcaktojnë gjini, si përpjekje e Satanait për të shkatërruar rregullin dhe bukurinë e krijimit të Perëndisë.

Kisha nuk na thotë se çfarë rrobash duhet të veshin burrat dhe çfarë rrobash duhet të veshin gratë, sepse ajo e di se stili i veshjes kushtëzohet nga klima dhe kultura. Por Kisha na mëson të respektojmë dallimet gjinore në veshje ashtu si njihen në kulturën tonë.  Kjo do të thotë se si të Krishterë ne duhet të pyesim veten kur blejmë rroba – A afirmon ky artikull, identitetin tim gjinor apo më bën të dukem sikur i përkas gjinisë tjetër; kur ju e shihni se një artikull nuk i përket gjinisë tuaj dëgjoni ndërgjegjjen tuaj, mos e blini atë edhe sikur të jetë në modë. Në kohën e sotme kur moda moderne përpiqet të shfuqizojë dallimet gjinore në veshje, nuk është e lehtë për të krishterët të gjejnë rroba që afirmojnë identitetin e tyre gjinor.  Por ne e dimë se gjatë gjithë historisë nuk ka qënë e lehtë për të krishterët të jetonin sipas parimeve të krishtera, por kjo është thirrja jonë të mos konformohemi me antivlerat dhe modën perverse të shoqërisë sonë, por të jemi ndikim transformues në këtë botë me anë të hirit të Perëndisë.

Si përfundim, rrobat nuk na bëjnë të krishterë, por të krishterët zbulojnë identitetin e tyre përmes veshjes dhe pamjes së tyre të jashtme. Pamja jonë e jashtme tregon një dëshmi të identitetit tonë të krishterë, me qëllim që t’i tregojmë botës që ne jetojmë për të lavdëruar Perëndinë dhe jo veten tonë.

Radio Ngjallja

Διαδώστε: