Patriarku Ekumenik Bartholomeu shpall kanonizimin e atë Sofronit të Essex-it
Më 22 të këtij muaji, përpara largimit të tij nga Mali i Shenjtë, Patriarku Partholome shpalli nisjen e procedurës së kanonizimit të atë Sofronit të Essex-it (+ 1993), i cili ishte dhe bir shpirtëror i shën Siluan Athonitit. Shën Sofroni renditet tashmë i pesti në listën e murgjve Athonitë të shek. XX, kanonizimi i të cilëve u deklarua nga Patriarku, gjatë vizitave të tij në Malin e Shenjtë. Katër etërit e tjerë janë: Jeronim Simonopetriti (+1957), Danieli i Katounakias (+1929), Josif Hezikasti (+1959) dhe Efremi i Katounakias (+1998).
Përmbledhje e jetës dhe veprës së shenjtorit
Lindi në Moskë më 1896. Emri i tij në botë ishte Sergei Simeonoviç Saharov. Siç tregon edhe ai vetë, përjetimi i tij i parë me Dritën e Pakrijuar ndodhi që në fëmijërinë e hershme. Vazhdoi Studimet në Shkollën e Arteve në Moskë, dhe ambiciet e tij artistike e drejtuan drejt Italisë, Gjermanisë dhe Francës, megjithatë, kuptoi se arti nuk ia siguronte dot përmbushjen dhe gëzimin e vërtetë. Gjatë kësaj faze të jetës së tij u largua nga besimi i krishterë, duke u afruar me misticizmin.
Kthimi në dashurinë e Krishtit rezultoi në një përvojë tjetër me Dritën e Pakrijuar, teksa gjendej në Francë në Pashkën e vitit 1924. Teksa qëndronte aty, takimet me atë Sergei Bulgakovin (+1944) patën shumë ndikim tek ai. Sipas fjalëve të shenjtit, në Paris kishte gjithçka, por nuk ndiente gëzim të mirëfilltë. Filloi të studionte në Institutin e shën Sergjit, por megjithëse aty flisnin të gjithë për Perëndinë, ai vetë nuk e shihte. Ndërsa kur shkoi në Malin e Shenjtë ishte e kundërta: askush nuk fliste për Perëndinë, por gjithçka dëshmonte për praninë e Tij.
Më 1925 shkoi në Manastirin rus të shën Pandeleimonit, ku u qeth murg një vit më vonë. E hidhëronte shumë fakti se nuk po mundej dot të jetonte në përputhje të plotë me urdhërimet e Ungjillit. Takimi me shën Siluan Athonitin ndikoi shumë në jetën e tij, saqë e ndryshoi atë thellësisht. Nëpërmjet shën Siluanit, atë Sofroni jo vetëm forcoi besën e tij më Krishtin, por edhe e njohu Atë nëpërmjet Hirit të Shpirtit të Shenjtë. I përvetësoi menjëherë parimet e atit të tij shpirtëror, të cilat ishin: lutja për të gjithë njerëzimin, fitimi i përulësisë së ngjashme me Krishtin dhe dashuria për armiqtë.
Pas fjetjes së shën Siluanit, biografinë dhe mësimet e të cilit i shkroi vetë atë Sofroni, ky i fundit u largua për t’u vendosur në “shkretëtirën” e Athosit, në Karulia. Atje nisi një mënyrë të re ushtrimi shpirtëror: që nga perëndimi i diellit e deri në agim buzët e tij përsërisnin pareshtur Lutjen e Jisuit, ndërsa krahët i mbante të ngritura lart drejt qiellit. Fjalët e lutjes u bënë për të ushqim shpirtëror, duke zënë vend thellë në zemrën e tij.
Nga 1943 deri më 1947 qëndroi në Manastirin e Shën Pavlit, U bë udhëheqës shpirtëror i Manastireve të Shën Pavlit, Gregoriou-t, Simonopetrës dhe Ksenofondos-it, si dhe shumë skiteve apo murgjve që jetonin të veçuar nëpër qeli. Më 1930 ishte dorëzuar dhjakon nga shën Nikollai Velimiroviç, episkopi i Ohrit, e më pas u hirotonis prift nga Mitropolit Jerotheu i Militoupolis. Jetoi disa vite në skitin e shën Andreas në Karies (pjesë e Manastirit të Vatopedhit) ku iu dha leja për t’u larguar për në Francë. Kështu, më 1947 ikën nga Athosi i tij i shtrenjtë pas 22 vitesh. Publikoi biografinë e shën Siluanit, me qëllim që ta bënte Malin e Shenjtë të njohur edhe në Perëndim. Më 1959 themeloi Manastirin e shën Joan Pagëzorit në Tolleshunt Knights, në Essex.
Fjeti më Zotin në 11 Korrik të vitit 1993. Biri i tij shpirtëror, atë Zakaria thotë për të se përbënte me të vërtetë një fenomen shpirtëror, një tregues të pranisë së Perëndisë mes brezit tonë. Jetoi përmes tragjedisë, shqetësimit dhe turbullimeve shpirtërore të shek. XX. Vetë jeta, lutjet dhe fjalët e tij shërbejnë si udhërrëfyes për pyetjet dhe problematikat e brezit tonë.
Paçim të gjithë ndërmjetimet e shenjtorit!
- Burimi: johnsanidopoulos.com & radiongjallja.org
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.