26 Φεβρουαρίου, 2019

Përfundojnë punimet në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, Kosinë, Përmet

Διαδώστε:

Përfundojnë punimet restauruese në kishën “Fjetja e Hyjlindëses”, në fshatin Kosinë, Përmet
Pothuajse pas një viti, në gusht 2018, përfunduan punimet e restaurimit në kishën “Fjetja e Hyjlindëses” në Kosinë të Përmetit. Hartimi i projektit të restaturimit dhe mbikëqyrja e realizimi i punimeve u bë nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Projekti u miratua nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës. Realizimi i këtij projekti u ideua dhe u financua nga Kryepiskopi Anastas me vlerën 4,435’395 lekë.
Punimet e restaurimit konsistuan në: fugatimet e muraturave, qepjet e çarjeve vertikale dhe qemerëve, injektimet në shëndoshjen e mureve ekzistuese, çmontimi i çatisë ekzistuese, riparimi i qemerëve nga çarjet dhe dëmtimet, mbulimi i çatisë në kuotat e vjetra duke përdorur tjegulla të reja të realizuara në dimensione me ato ekzistuese dhe gjithashtu u zëvendësuan dyert edhe dritaret e dëmtuara. E gjithë kisha iu nënshtrua një heqjeje masive të dherave në mënyrë perimetrale, të cilat ishin depozituar me kohën duke “zhytur” volumin real të kishës. Në pjesën afër muraturës u realizua drenazhimi për t’i larguar ujërat nga objekti. Mbi këtë drenazhim u bë një trotuar kalldrëmi, i cili do të rrethojë kishën në mënyrë perimetrale. Punime gjithashtu u kryhen edhe në interierin e kishës, si riparimi i dyshemesë dhe plotësimi i suvasë së dëmtuar aty ku nuk kishte prani të pikturës murale. E rëndësishme ishte edhe rihapja e dyerve anësore nga veriu dhe nga perëndimi.
Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” në Kosinë, është e tipit kryq i brendashkruar me kupolë dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe altari. Nga tiparet, morfologjia dhe elementet dekorative, kjo kishë datohet si ndërtim i shekullit XII. Kisha “Fjetja e Hyjlindëses” ka tipare të theksuara të arkitekturës bizantine. Kjo kishë kaq e rëndësishme për trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturore orthodhokse e restauruar tashmë, i bashkëngjitet grupit të madh të kishave monumente kulture të restauruara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Nga besimtarët orthodhoksë të Enorisë së kishës së Fjetjes së Hyjlindëses të fshatit Kosinë, Kryepiskopit Anastas iu dërgua një letër falënderimi dhe mirënjohjeje për restaurimin jo vetëm të këtij thesari të vyer të besimit tonë siç shprehen ata, por edhe ringritjes në tërësi të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Arkitekt Restaurator
Gentian Stratobërdha,
“Bërthama e Trashëgimisë Kulturore”,
Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

https://www.facebook.com/notes/kisha-orthodhokse-autoqefale-e-shqip%C3%ABris%C3%AB/p%C3%ABrfundojn%C3%AB-punimet-n%C3%AB-kish%C3%ABn-fjetja-e-hyjlind%C3%ABses-kosin%C3%AB-p%C3%ABrmet/1207836259391390/

Διαδώστε: