Elbasan, 24 nëntor 2018
Drejtuar:
Ministres së Kulturës
Znj. Mirela Kumbaro
Besimtarët e Famullisë Orthodhokse të Shën Athanasit në qytetin e Elbasanit, kanë ndjekur me shumë shqetësim, ngjarjen fyese të rradhës në kishën “Lindja e Shën Marisë”, lagja Kala në Elbasan.
Është e disata herë që kjo kishë kthehet në ambient thuajse “I dhënë me qira”, për të kryer aktivitete të natyrës aspak shpirtërore. Qesharake dhe shumë fyese ishte edhe ngjarja e fundit me shfaqjen e dramës “Kali” brenda në këtë kishë. Është edhe më qesharake kur trumbetohet që kjo shfaqje “pati një impakt sensibilizues për ruajtjen e vlerave kulturore përmes artit”. Për çfarë vlerash bëhet fjalë? Nuk është aspak vlerë mos respektimi i vendeve të kultit.
Znj. Ministre, ju drejtohemi juve dhe të gjithë vartësve tuaj, që të mos luani me këto gjëra, të mos veprojnë si u veprua me objektet e kultit gjatë kohës së komunizmit, ajo periudhë nuk duam të na kthehet më.
Ndërkohë që mburreni nëpër botë me vlerat orthodhokse të Shqipërisë, përpiquni të jeni realiste edhe këtu.
Nëse nuk keni mundësi ta ruani dhe ta respektoni si duhet këtë kishë, përgjigjuni kërkesës së vazhdueshme të këtij komuniteti për t´ia rikthyer atë vend të shenjtë të zotit të saj, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Mjaft më me këtë heshtje dhe veprime fyese të besimit tonë!
Besimtarët e Famullisë Orthodhokse të shën Athanasit, Elbasan