Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti
E hënë, 2 dhjetor 2024 – Shenjtori i ditës.
Profeti Abakum. Dëshmoret Miropi, Viviana. Oshënar Theofili. Oshënar Porfir Kafsokaliviti.
JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES
(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)
– PROFETI ABAKUM –
Profeti i shenjtë Abakum vinte nga fisi i Simeonit. Ishte bir i Shafatit dhe jetoi rreth 600 vjet para Krishtit. I frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, ai paratha marrjen e Jerusalemit nga Kaldeasit, internimin në Babiloni, dhe qau hidhur për fatin e popullit rebel ndaj Perëndisë. Kur Nabukodonosori rrethoi Jerusalemin, profeti shkoi tek Osroeni dhe jetoi si i huaj në Arabi, në vendin e Ismaelit. Ai u kthye në Jude vetëm pasi kaldeasit internuan në Babiloni një numër të madh banorësh të Jerusalemit dhe të Egjiptit.
Një ditë, në momentin që në arat e tij bëhej korrja, Abakumi u tha shërbëtorëve të prisnin një moment para se t’u jepnin ushqim korrësve, që të kishte kohë të kryente një porosi në një vend të largët.
Sapo dha këtë urdhër, një engjëll e mori dhe e çoi në Babiloni për t’i dhënë ushqim profetit Daniel në gropën e luanëve (Dan. 6) Ai u kthye në Jude me një mënyrë të mrekullueshme disa momente më vonë dhe u ofroi korrësve të njëjtin ushqim.
Duke mbajtur emrin që paralajmëronte çlirimin final të popullit dhe parathoshte ngjalljen e ardhshme sepse Habakuk ose Abakum do të thotë ati i ngjalljes, profeti i shenjtë priste me vigjilencë ardhjen e fjalës së Perëndisë tek ai, duke qëndruar si rojë mbi zemrën e tij (shih Abakum 2:1). Në këtë pikë ai krijoi himnin e tij të bukur që është Ode IV e Kanonit të Mëngjesores.
Dhe duke parë shenjat profetike të shfaqjes së pushtetit të Perëndisë nëpërmjet Mishërimit të Tij, ai psal: “O Zot, dëgjova zërin tënd dhe u frikësova; o Zot, kuptova veprat e tua dhe u habita” (Abakum 3:1-2).
Ai paratha lindjen e Fjalës, duke përshkruar në mënyrë të mistershme virgjërinë e Perëndilindëses (Hyjlindëses) Mari: “Zoti do të vijë nga Temani dhe i Shenjti nga mali i hijesuar prej pylli” (po aty, vargu 3). Duke e përshkruar mishërimin dhe ardhjen e Krishtit, si një ndërhyrje e frikshme kozmike të Perëndisë, i Cili, i zemëruar ndaj armiqve të tij, e bën diellin dhe hënën të ndalojnë rrotullimin e tyre dhe bën që themelet e dheut të dridhen nga frika; profeti sheh Zotin që kalëron mbi apostujt e Tij, si mbi kuaj dhe karroca lufte, për të kapërcyer detin, për të mposhtur vdekjen dhe për të shpëtuar popullin e tij. Për këtë arsye, edhe pse i pushtuar nga frika, ai gëzohet në Zotin, Shpëtimtarin e tij, i Cili do të vendosë këmbët e tij mbi shkëmbin e Ungjillit kur do të vijë në fund të jetëve dhe do ta ngrejë bashkë me Krishtin e ngjallur në të soditurit e Perëndisë, që si fitimtar të psalë këngën e tij triumfale në Mbretërinë e përjetshme.
Pas një vegimi, varri i profetit Abakum u zbulua në kohën e perandorit Theodhos në fshatin Kela, afër Eleftheropolit. Në vendin e varrit u ndërtua një kishë dhe përbri një manastir i vogël, ku jetoi shën Epifani (12 maj).
* * * * *
– DËSHMORE MIROPI –
Martirja e shenjtë e Krishtit Miropi lindi në Efes. Në pagëzimin e saj e ëma e dedikoi që të shërbente pranë lipsanit të shën Hermionës një nga katër vajzat e apostull Filipit (4 shtator). Prej trupit të shën Hermionës dilte një miro e lëngshme aromëmirë që bënte mrekulli, gjë që sillte shumë pelegrinë për t’u falur aty.
Kur perandori Decius nisi persekutimin e tij (viti 250), e ëma dhe e bija gjetën strehë në ishullin e Hiosit, ku ia kushtuan veten e tyre lutjes. Por nuk i lanë në paqe, sepse perandori dërgoi në ishull Numeriusin, një guvernator i ri, për të persekutuar të krishterët me më shumë egërsi. Një ushtar që ushqente frikë ndaj Perëndisë, i quajtur Isidor (14 maj), ishte viktima e tij e parë. Atij iu pre koka, pasi iu bënë më parë tortura të frikshme, për ta detyruar të mohonte besimin e krishterë dhe trupin ia flakën në një humnerë, që ta gllabëronin kafshët e egra.
Duke qenë e mbushur përplot me zell të shenjtë dhe duke dashur të nderonte siç duhet martirin e Perëndisë, Miropi, e shoqëruar nga një shërbëtor, shkoi deri në cepin e humnerës dhe, fshehur rojave, mori me vete pjesën e mbetur të trupit të shenjtorit që e varrosi në një vend të bërë gati për këtë qëllim. Numeriusi u tërbua kur mësoi për këtë ngjarje. Ai ndëshkoi rojat dhe u tha atyre të kërkonin kudo në qytet për të gjetur trupin, përndryshe do t’u priste kokat, nëse do të vinin duarbosh.
Miropi u mërzit kur pa ushtarët e dëshpëruar me zinxhirë në duar, të frikësuar për vdekje; ndërgjegjja e saj nuk e linte të qetë. Duke e ndier veten fajtore për ndëshkimin e tyre, ajo shkoi tek ata dhe u tha se e kishte marrë ajo trupin e martirit. Ata e çuan përpara guvernatorit, i cili e mori menjëherë në pyetje, dhe e torturuan. E flakur gjysmë e vdekur në një burg të errët, ajo gjeti përsëri forcën për t’u lutur. Në mes të natës, errësira u ndriçua nga një dritë qiellore dhe martiri i shenjtë Isidori iu shfaq asaj në lavdi në mes të shoqërisë së engjëjve dhe i tha: “Paqe qoftë mbi ty. Perëndia ka dëgjuar lutjet e tua dhe tani do të vish te ne për të marrë kurorën që po të pret”.
Pas pak, shenjtorja e dha shpirtin e saj te Perëndia dhe burgu u mbush me një aromë qiellore. Roja që ruante shenjtoren i pa dhe i dëgjoi të gjitha këto, përqafoi besimin e Krishtit dhe mori dhe ai, më pas, kurorën e ndritshme të martirizimit.
* * * * *
– OSHËNAR PORFIR KAFSOKALIVITI –
Shën Porfiri (sipas botës Evangjelos Bajraktari) lindi më 7 shkurt 1906 në Evia të Greqisë. Prindërit e tij, Leonidha dhe Eleni, ishin mjaft shpresëtarë. Madje, i ati shërbente si psalt në kishën e fshatit dhe e kishte njohur personalisht shën Nektarin. Familja e tyre ishte e madhe dhe prindërit, fermerë të varfër, e kishin të vështirë ta mbanin. Prandaj i ati u detyrua të largohej për në Amerikë, ku punoi në ndërtimin e Kanalit të Panamasë.
Shenjtori ishte fëmija i katërt i familjes. Ai kulloste dhentë në male por, për shkak të varfërisë, u detyrua që me të mbaruar klasën e parë të shkonte në Halkidhë për të punuar. Asokohe ishte vetëm shtatë vjeç. Punoi atje për rreth 3 vjet, dhe më pas shkoi në Pire, ku punoi 2 vite të tjera në ushqimoren e një të afërmi.
Në moshën 12-vjeçare, zelli shpirtëror e nxiti që të nisej fshehurazi për në malin e Shenjtë, me dëshirën për të imituar Shën Joan Kalivitin, shenjtorin e tij të dashur, jetëshkrimin e të cilit e kishte lexuar shpesh. Hiri i Zotit e çoi në kalivën e shën Gjergj Kafsokalivitit, në bindjen e dy Etërve, atë Panteleimonit, atit shpirtëror, si dhe atë Joanikut, njërit prej vëllezërve të tij biologjikë. Të dy etërit thuhet se ishin mjaft të rreptë. Megjithatë Porfiri jetoi në bindje të përsosur ndaj të dyve, plot dashuri e përulësi. U bë murg në moshën 14-vjeçare dhe mori emrin Nikita. Pas 2 vitesh mori dhe Skimën e Madhe. Perëndia i dha hirin e dallueshmërisë.
Gjatë gjithë jetës tokësore rroi në përulësi të tejskajshme, me dashuri për Krishtin dhe çdo njeri, si dhe në bindje absolute ndaj Kishës.
Në moshën 19-vjeçare u sëmur shumë rëndë, gjë që e detyroi të largohej përgjithmonë nga Athosi. Kësisoj, u kthye në Evia, ku u tërhoq në Manastirin e Shën Harallambit. Një vit më vonë, në vitin 1926 u hirotonis prift nga Kryepiskopi Porfiri III i Sinait, i cili i dha emrin e vet. E caktuan si atë shpirtëror dhe rrëfyes, megjithëse mjaft i ri në moshë, dhe një vit më vonë mori ofiqin e arkimandritit.
Pasi jetoi në Evia për 12 vjet, në vitin 1940, në prag të Luftës së Dytë Botërore, shenjtori u vendos në Athinë, ku shërbeu si prift enorie në kishën e Poliklinikës së Athinës. Siç dëshmon dhe ai vetë, aty jetoi 33 vjet si një ditë, pa u lodhur, duke lehtësuar dhimbjet dhe shpirtrat e njerëzve.
Më 1979 u vendos në Milesi, ku nisi të themelonte një manastir. Gjatë ndërtimit të tij, u vendos në një qeli me blloqe betoni, ku shëndeti iu përkeqësua ndjeshëm. Pavarësisht kësaj, i duroi me heshtje dhe guxim vuajtjet e tij dhe nuk u ankua kurrë, madje e konsideronte sëmundjen si bekim.
Vetëm në vitin 1984 u transferua në një godinë të manastirit në ndërtim, për përfundimin e të cilit punoi pa u ndalur, megjithëse shëndetlig dhe i verbër.
Në qershor 1991, duke ndjerë fundin e tij dhe duke mos dashur të varrosej me nderime, u nis për në kalivën e Shën Gjergjit në Kafsokalivi të Malit Athos, ku kishte qenë murg rreth 70 vjet më parë dhe në mëngjesin e 2 dhjetorit 1991, ai ia dorëzoi shpirtin Zotit.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.