Ne jetojmë në një kohë kur njerëzit nuk dëgjojnë. E gjithë shoqëria dhe e gjithë bota nuk dëgjon. Madje një filozof dhe teolog shumë i njohur, Kirkergal thotë: “Nëse ndikush do të më thoshte çfarë recete do t’i jepja shoqërisë së sotme moderne do t’i jepja vetëm një gjë: qetësinë”. Sepse ka aq shumë zhurmë brenda kokës së çdo njeriu saqë edhe sikur Zoti t’i flasë, ai përsëri nuk do të dëgjojë. Në fakt ka shumë pak njerëz që dëgjojnë realisht zërin e ndërgjegjes së tyre. Fjalët që ne themi shpesh kanë humbur kuptimin e tyre. Për shembull, fjalët: Perëndi, Zot, liri, dashuri, dhembshuri janë nga fjalët që askush nuk mund të mos i dijë, e megjithatë askush nuk i di, sepse askush nuk ndalet që t’i dëgjojë. Tregohet një histori për filozofin e famshëm të antikitetit Simonidhi, i cili u thirr nga Tirani i Sirakuzës dhe i tha: “Do më flasësh çfarë është Perëndia”. Ai u mat të fliste, u mendua dhe pasi u mendua i kërkoi një ditë kohë. Të nesërmen u thirr përsëri dhe kërkoi një javë kohë. Mbas një jave u thirr sërish dhe kërkoi edhe një muaj kohë. Tirani i zemëruar i tha: “Ti kërkon të tallesh me mua?”. Jo, por sa më shumë mendoj, aq më tepër kuptoj se nuk di çfarë të them, sepse kur fillon dhe mendon kupton fjalën.
Çfarë do të thotë realisht fjala? Fjalët tona ngaqë janë keqkuptuar e kanë humbur edhe kuptimin. Ne flasim shpeshherë për lirinë dhe askush nuk do që të kuptojë se çfarë do të thotë realisht liri. Dhe nëse nuk do të ndalemi të dëgjojmë është shumë e vështirë të ketë përgjigje. Përgjigjet vijnë nga pyetje të sinqerta të shpirtit tend. Edhe ne në shpirtin tonë nëse pyesim kot veten, asnjë përgjigje nuk do marrim. Njeriu merr përgjigje vetëm nga serioziteti i pyetjes së tij. Në këto kohëra që jetojmë ne, jo vetëm që s’ka përgjigje, por s’ka as pyetje, sepse njerëzit nuk ndalojnë dhe të dëgjojnë. Prandaj ju duhet t’i dëgjoni fjalët që thonë njerëzit dhe meditoni pak më gjerë për to. Liria është një koncept shumë i gjerë dhe ndoshta nga mendimtarë të ndryshëm është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Megjithatë ajo ka qenë thelbësore për njeriun. E gjithë antropologjia e krishterë është mbështetur në këtë gjë: që njeriu është krijuar i lirë. Askush nga ne nuk mund të lirohet dot nga lirshmëria e tij. Duam apo s’duam ne liria mbetet gjithmonë tek ne si bekim, si dhuratë apo si barrë. Ajo mund të na shpëtojë ose mund të na dënojë ne, por gjithësekush nuk mund të ndalet dot nga ajo. Dhe kuptimi i lirisë është i domosdoshëm nëse realisht ne do të formojmë një person real i cili ka një marrëdhënie me veten, me të tjerët rrotull tij dhe me Perëndinë. Pa kuptimin e thellë të lirisë është shumë e vështirë që një njeri të orjentohet në rrugën e tij shpirtërore. Ne kemi përgjegjësi për çdo veprim që kryejmë ngaqë jemi të lirë. Të jesh i lirë është edhe bekim, por është edhe barrë dhe një përgjegjësi shumë e madhe. Liri nuk do të thotë të kundërshtosh çfarëdolloj kufizimi. Ne e dimë që qoftë në botën organike apo tek njerëzit, reagimi i parë është për t’u liruar. Nëse do të lidhet një foshnje, reagimi i parë do të jetë të zgjidhet. Kjo gjë nuk ndodh vetëm tek njerëzit. Madje kur e pyetën një njeri të mençur për dëshirën e brendshme të njerëzve për të qenë të lirë ai e pohoi duke thënë: “Po, edhe unë kështu jam”. Çdo gjallesë e kundërshton kufizimin e megjithatë kjo nuk është liria për të cilën njeriu është lindur për të qenë. Njeriu nuk është vetëm një qënie në hapësirë, në kohë, por një qënie në udhëtim. Madje gjallesa tek njeriu është një mundësi për të kapërcyer veten dhe kohën në të cilën ai jeton. Ky ndoshta është edhe kuptimi i fjalëve të Pompeit të madh i cili thoshte se jeta nuk është e rëndësishme, udhëtimi është i rëndësishëm. Pikërisht për të treguar që qëllimi i jetës së njeriut nuk është vetëm vegjetimi dhe gjallesa, por është një kërkim i thellë brenda vetes, një kapërcim për të arritur realisht atë për të cilën ai është krijuar. Ne e dimë historinë e njerëzimit. Në botë ka pasur shumë përpjekje për liri. Kurrë nuk është shuar tek njerëzit dëshira për të qenë të lirë. Revolucionet dhe gjithçka tjetër janë bërë për t’u çliruar e megjithatë ato nuk kanë arritur lirinë finale. Sepse liria e jashtme nuk është niveli më i thellë i lirisë me njeriun. Solomoni ka thënë: “Kam parë shumë skllevër të ecin kaluar dhe shumë princër të ecin në këmbë”. Pra mund të jesh në zinxhirë, por përsëri të jesh i lirë. Shën Pavli ishte i lidhur me zinxhira e megjithatë askush nuk ishte më i lirë se ai. Nuk mjafton vetëm liria e jashtme. Ajo është vetëm një pjesë e domosdoshm e lirisë sonë. Liria e plotë dhe e vërtetë e njeriut është liria e brendshme. Ashtu si qëllimi i jetës së njeriut nuk është thjesht jetimi i disa viteve të cilat janë përgatitje për diçka tjetër.
Ne e dimë që biseda e parë që është bërë me njeriun ka qenë një ndalesë. Perëndia i tha njeriut të mos hante nga pema e njohjes të së mirës dhe të keqes që do të thotë se dialogu i parë ka qenë një kufizim. Zoti tha: “mos” dhe që në dukje të parë është një kufizim i lirisë. Në fakt nuk ishte një kufizim i lirisë, por ishte një provë për ta përmbushur lirinë e njeriut. E përmenda këtë, sepse në shoqërinë e sotme të gjithë “mos-et” dhe “jo-të” nuk respektohen, dhe shpeshherë në emër të lirisë. Faktikisht këto gjëra nuk e bëjnë njeriun të lirë. Sa më shumë ai kundërshton ndalesat, aq më tepër ai bëhet i robëruar. Ne e dimë nga historia biblike se çfarë pasoja katastrofike pati tentativa për të mos iu përgjigjur kësaj ndalese që dha Zoti. Nuk mund të jesh dot i lirë nëse nuk do të kesh përgjegjësinë e lirisë. Nuk mjafton të bësh çfarë të duash, sepse prapë nuk do të jesh i lirë. Asnjë i shthurrur nuk është i lirë, madje ata janë më të robëruarit.
Një teolog shumë i famshëm e quan asketizmin një tentativë për të çliruar lirinë. Nëse do ta shohim lirinë e njeriut në dritën e antropologjisë së krishterë do të kuptojmë që këto ndalesa janë për të mirën tonë. Sepse këto ndalesa janë kurime që i bëhen natyrës sonë të shtrembëruar. Nëse ne shohim një pemë të njomë e cila fillon merr drejtim të gabuar, çfarë i bëjmë asaj? Zakonisht e lidhim, por lidhja nuk është për të kufizuar lirinë e pemës, por është për ta ndihmuar atë të rritet drejt. E njëjta gjë ndodh edhe kur Zoti vendos lidhëse të ndryshme për të ndihmuar shtrembërimin e natyrës sonë. Shën Vasili i Madh duke folur për dogmat tha: “Dogmat na ndihmonë për të na shpëtuar nga mendja jonë”. Kjo do të thotë se për të ndaluar fantazitë e ndryshme që mund të merrte mendja e njeriut ishin disa dogma, disa të vërteta ta zbuluara tek njerëzit. E njëjta gjë është edhe për kufizimet e ndryshme morale të cilat janë vendosur për ta mbrojtur njeriun nga abuzimi që mund të bëjë ai me lirinë. Një njeri që abuzon me lirinë i hiqet liria. Kush është ai prind që i lë fëmijës një armë në emër të lirisë? Nëse do t’ia linte armën mund të rrezikohej jeta e tij. Ndoshta nuk mund të kemi aftësinë shpirtërore për të parë qartë që këto janë mure mbrojtëse. Ndoshta errësira që ka mbuluar shpirtin e njeriut nuk e kap dot dritën për ta kuptuar këtë gjë. Por ata që e kuptojnë përpiqen t’i mbajnë vazhdimisht këto kufizime. Ashtu si ata njerëz që i vendosin muret rrugëve, madje i riparojnë ato, sepse një prej tyre mund të shpëtojë kushedi se sa jetë njerëzish. E njëjta gjë është edhe për muret morale. Në të gjithë botën ka një neglizhim të këtyre kufizime e ndoshta kjo nuk është tema më e pëlqyeshme nga njerëzit. E megjithatë ju e dini nga Ungjilli se si djali i pasur pyeti Zotin se çfarë duhet të bënte për të fituar jetën e përjetshme. Zoti i tha atij diçka që ai nuk donte ta dëgjonte. E njëjta gjë ndodh edhe me shenjtorët. Ne na gënjen shpeshherë mendja dhe themi sikur të kishim një shenjtor brenda nesh do ta donim dhe do ta respektonim. Nëse dikur i vramë, sot s’do i vrasim më? Sepse fjalët e tyre shpeshherë janë të ashpra për veshët tanë. Ne nuk duam të dëgjojmë gjëra të tilla. Ashtu siç fëmija shpeshherë nuk do të dëgjojë qortime pavarësisht se këto qortime mund ta mbrojnë atë. Vetëm një njeri që është pjekur shpirtërisht mund të fillojë dhe ta dojë qortimin. Prandaj dhe shenjtorët e donin aq shumë Zotin dhe qortimet e Tij.
Për të kuptuar lirinë duhet të dimë se çfarë ndodhi me njeriun e parë. Sepse nëse nuk do ta kemi të qartë këtë është shumë e vështirë të kuptojmë edhe veprën shpëtimtare të Zotit. Që ta quash Zotin shpëtimtar, duhet ta dish se nga çfarë të ka shpëtuar. Po të pyesësh shumë njerëz nga çfarë na ka shpëtuar, jo të gjithë të përgjigjen realisht se nga çfarë na ka shpëtuar Zoti. Historia e njerëzimit është e mbushur me historinë e veçanta të gjithësecilit nga ne. Raporti që kanë pasur njerëzit e parë me Zotin vazhdon edhe tek ne. Ajo që bëri njeriu i parë ishte tentativa për ta realizuar vetë përmbushjen e tij. Njeriu në krenarinë e tij mendoi të bënte çdo gjë si Zoti, por pa Zotin. Kjo vazhdon edhe sot. Njerëzit dinakë nuk i shpikin gjërat, por shtrembërojnë të vërtetën dhe të gjitha gënjeshtrat që shtrembërojnë të vërtetën bëhen gënjeshtrat më të besueshme. Njeriu nuk është qënie që ka jetë në vetvete. Njeriu është një qënie që mund të ketë jetë të plotë, por vetëm duke e pasur tek Zoti. Njeriu mund të fitojë lirinë e tij të plotë vetëm duke iu bindur Zotit. Ai mund të ketë jetë dhe liri në vetvete.
Ne që nuk kemi një eksperiencë të gjatë në kapitalizmin konsumist kemi filluar të kuptojmë që njeriu nuk mund të bëhet dot i lumtur vetëm me këto gjëra. Madje shpeshherë ndodh e kundërta. Sa më shumë ai grumbullon nga jashtë aq më shumë zbrazet brenda. Grumbullimi nga jashtë nuk mund t’i sjellë dot njeriut lumturinë. Nëse realisht nuk do çlirohet nga ajo gjë që e deformon natyrën e tij është shumë e vështirë që të gjej lumturinë, sepse liria dhe gëzimi nuk mund të ndahen dot nga njëra-tjetra. Gëzimi është pjesë e jetës në kuptimin e plotë. Zoti thotë: “Ejani dhe merrni pjesë në gëzimin tim”, kjo do të thotë në jetën e përjetshme. Masa që mat sasinë e vërtetë është gëzimi. Ndonëse njerëzit kanë grumbulluar shumë të mira materiale përsëri ata nuk janë të gëzuar. Madje gëzimi pothuajse po humbet dhe ne kemi formuar një shoqëri pa gëzim. Humbi gëzimi i vëllezërve, motrave, miqve e gjithçka tjetër të cilat i jepnin njerëzve një lloj gëzimi. Jeta e sotme është një jetë pa gëzim. Duke qenë se është një jetë pa gëzim është një jetë pa liri, sepse është e pamundur që njeriu të jetë i lirë e të mos ketë gëzim. Dhe është e pamundur që njeriu të jetë i lire, nëse nuk do të ndjekë disa kufizime dhe kufizimet etike që vendosen janë shenjë e lirshmërisë së tij. Kufizimet morale janë për të përmbushur lirinë e njeriut. Ne jetojmë në një botë ku e keqja është kudo e pranishme. Madje jo vetëm në kuptimin etik të fjalës, por edhe në kuptimin e thellë ontologjik e keqja është e pranishme. Etërit e Kishës, psikologë e filozofë të ndryshëm kishin folur për një forcë të thellë brenda njeriut që e deformon vullnetin e tij. Madje kishin përdorur shpeshherë të njëjtat fjalë. Etërit e Kishës e quanin të keqen shtaza brenda njeriut dhe po kështu e quanin edhe psikologët e psikologjisë së thellë. Është e domosdoshme që të ketë disa zinxhirrë që ta lidhin shtazën brenda njeriut. Që të çlirohemi realisht ne duhet të fillojmë rrugën e ndalimeve.
Rruga drejt lirisë është rruga drejt porosive që ka dhënë Zoti. Nëse do të kërkojmë shpëtimin atëherë do të kërkojmë lirinë.
Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani