Shenjtori i ditës: Dëshmor i madh Dhimitër Mirovliti. Dëshmor Lupi. Dëshmore Leptina. Dëshmor Glikoni. Dëshmor i ri Joasafi.
E shtunë, 26 tetor 2019 – Shenjtori i ditës.
Dëshmor i madh Dhimitër Mirovliti. Dëshmor Lupi. Dëshmore Leptina. Dëshmor Glikoni. Dëshmor i ri Joasafi.
– Dëshmor i madh Dhimitër Mirovliti –
Shën Dhimitri jetoi në Selanik nën sundimin e Galer Maksimianit (rreth 306). Rridhte nga një ndër familjet më aristokrate të provincës së Maqedonisë dhe të gjithë e çmonin, jo vetëm për origjinën e tij fisnike dhe paraqitjen e hirshme, por edhe për virtytin, mençurinë dhe mirësinë. Edhe pse i ri, e zotëronte mirë artin ushtarak, ishte graduar nga Galeri, që atëherë ishte cezar i perandorisë së Lindjes, gjeneral i ushtrive të Thesalisë dhe kryekonsull i Greqisë. Por këto pozita nuk e bënë që të humbiste kuptimin e gjërave më thelbësore. Zemra e tij ishte prekur nga besimi në Krishtin dhe e shpërfilli lavdinë e botës. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke mësuar dhe interpretuar publikisht Fjalën e Perëndisë. Fjala e tij ishte bindëse, dhe vetë jeta e tij ishte një zbatim praktik i drejtësisë, paqes, dashurisë për vëllezërit, madje një numër i madh paganësh u bënë të krishterë, me gjithë persekutimet e ashpra që kishte nisur perandori kundër të krishterëve.
Perandori Maksimian po korrte fitore brilante kundër skithëve. Kur kthehej nga Roma, ndaloi në Selanik që ta mblidhte turmën për t’u ofruar idhujve. Disa paganë, xhelozë për suksesin e fjalës së Dhimitrit, përfituan nga prania e perandorit në qytet dhe e denoncuan shenjtin te perandori si të krishterë. Çudia e këtij të fundit u shndërrua në zemërim të furishëm kur mori vesh se Dhimitri i besonte Krishtit, dhe se predikonte me sukses duke shfrytëzuar vendin e tij në asambletë zyrtare. E kapi dhe e futi në një qeli të ngushtë e të errët, në pjesën e nëndheshme, të pistë të një banje. Një akrep iu afrua te këmba për ta pickuar, por me shenjën e kryqit e zhduku. E lanë të vetëm në lagështirën dhe erën e keqe të atij vendi. Nuk i bënë aspak përshtypje këto, i mbushur me gëzim mendonte kungimin e afërt me pësimin shpëtimtar të Krishtit; por duhej të priste deri në fund të festimeve të organizuara me rastin e triumfit të perandorit, që të realizohej martirizimi i tij.
Siç e kishte zakon në të tilla raste, Maksimiani kishte organizuar në amfiteatër lojëra me gladiatorë. Kishte sjellë me vete një burrë vigan, me fuqi herkuli që quhej Lie, nga fisi i vandalëve. Ishte kaq i fortë dhe i shkathët, sa askush nuk i kishte rezistuar i vetëm ballë për ballë. Nestori, një djalosh i ri i krishterë, si pa krenarinë e kotë që kishte perandori përkrah atij vigani, vendosi t’i tregonte se vetëm Krishtit i përket fuqia e vërtetë. Shpejtoi te Dhimitri dhe i kërkoi lutjen dhe mbrojtjen kur të ndeshej me gjigantin. Shenjti i bëri mbi ballë shenjën e kryqit dhe e dërgoi si Davidi përballë Goliathit (I Sam. 17). U paraqit në amfiteatër, ndërsa turma brohoriste për Lieun. Nestori u afrua para perandorit, hoqi tunikën dhe tha: “Perëndi i Dhimitrit, eja më ndihmo!”. Që me hapin e parë, kur vigani e mbërtheu djaloshin, ai lëvizi dhe i nguli kamën në zemër për vdekje. Të gjithë u shtangën nga kjo skenë dhe pyetën se si barbari ra menjëherë përtokë nga fuqia e një fëmije.
Ndërsa perandori ziente nga tërbimi, u ngrit dhe dha urdhër t’ia prisnin kokën Nestorit jashtë qytetit. Maksimiani kishte dëgjuar nga goja e Nestorit për Dhimitrin dhe mendoi se mos shenjti kishte bërë ndonjë magji, ndaj urdhëroi rojat ta vrisnin me heshta atje ku ishte, në burgun e nëndheshëm, pa gjyq. Disa të krishterë ishin të pranishëm kur e ekzekutuan shenjtin. Ata pritën derisa ushtarët u larguan dhe e varrosën trupin e tij me devotshmëri. Lupi, shërbëtori i shën Dhimitrit, ishte edhe ai i pranishëm para se ta varrosnin, mori tunikën e martirit larë me gjakun e tij dhe vuri në gisht unazën mbretërore që mbante. Me anën e këtyre të dyjave, Lupi kreu shumë mrekulli dhe shërime. Kur Maksimiani e mori vesh këtë gjë, dërgoi ushtarët t’ia prisnin kokën edhe shërbëtorit besnik të shenjtit.
Perëndia bëri që të buronte miro shëruese nga trupi i shenjtit. Që 1600 vjet më parë, shumë herë shën Dhimitri ka shfaqur dashamirësinë për qytetin e Selanikut dhe banorët e tij. I ka mbrojtur nga mësymja e barbarëve, i ka shpëtuar nga epidemitë dhe zitë e bukës, ka shëruar të sëmurë dhe ka ngushëlluar të pikëlluar. Çuditë e tij janë aq shumë, saqë ai që do guxonte t’i numëronte do t’i ngjante të pamendit që donte të numëronte kokrrat e rërës.
* * * * *
– Dëshmor i ri Joasafi –
Ishte murg dhe dishepull i patriarkut të shenjtë të Konstandinopojës, Nifonit (11 gusht), i cili e kishte marrë me vete në Malin Athos kur kishte shkuar një herë në Rumani. Digjej nga dashuria për Perëndinë dhe i kërkoi bekimin atit të tij shpirtëror që të martirizohej.
Para se të vdiste, Nifoni ia dha bekimin dhe i parashikoi se do të martirizohej në Konstandinopojë. Dhe kështu ndodhi. U paraqit vetë para tribunës turke dhe rrëfeu para të gjithëve se besonte Trininë e Shenjtë dhe Mishërimin shpëtimtar të Zotit tonë Jisu Krisht. E munduan dhe pastaj ia prenë kokën më 26 tetor 1536.
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.