E premte, 25 tetor 2024 – Shenjtori i ditës.
DITË KRESHME
Tavithaja e Jopës. Dëshmorët Markiani e Martiri, noterë. Dëshmorët Krisafi, Valeri, Savini. Dëshmor Anastasi.
– TAVITHAJA E JOPËS –
Tavithaja ishte një grua e ve e krishterë që banonte në Jopë (Izrael) në shek. I. Ajo përmendet në Veprat e Apostujve (9:36-42) si një grua që bënte “plot punë të mira e lëmosha”.
Në ditët kur apostull Petro po predikonte në Lidi, që ndodhet jo shumë larg Jopës, qëlloi që Tavithaja u sëmur rëndë dhe vdiq. Dy lajmëtarë u dërguan menjëherë tek Petroja, duke iu lutur që të shkonte tek ajo. I gjithë qyteti ishte tronditur fort nga vdekja e saj, pasi gëzonte respekt të thellë për të. Si shkoi në dhomën ku gjendej Tavithaja, apostulli iu lut fort Perëndisë, i ulur në gjunjë. Më pas, e urdhëroi të ngrihet, dhe ajo u rikthye në jetë, tërësisht e shëruar (Veprat e Apostujve 9:36).
Shën Tavithaja (emri i së cilës në hebraisht do të thotë “Sorkadhe”) konsiderohet si shenjtorja mbrojtëse e endësve dhe rrobaqepësve, pasi edhe ajo vetë qepte këmisha e rroba, të cilat ua shpërndante njerëzve.
* * * * *
– DËSHMORËT MARKIANI E MARTIRI, NOTERË, SEKRETARË –
Shën Markiani dhe Martiri jetuan në Konstandinopojë nën mbretërimin e perandorit arian, Konstancit (337-361). Ishin me prejardhje aristokrate dhe të gjithë i vlerësonin për diturinë, moralin, përkushtimin që kishin. U bënë sekretarë të patriarkut Pavël Rrëfyesi (6 nëntor), i cili u vra nga arianët gjatë internimit të tij në Armeni (344). Duke mos iu frikësuar as martirizimit, as internimit, martirët e shenjtë Markiani dhe Martiri vazhduan të shpallnin besën e krishterë para popullit.
Këto fjalë: “Biri i Perëndisë është i bashkësubstancshëm me Atin dhe është Perëndi nga natyra”, ishin më të vyera se vetë jeta e tyre, dhe i mbajtën ato si koracë kundër sulmeve të djallit dhe heretikëve. I vranë me shpatë dhe u varrosën para portës së quajtur Melandisia. Me kthimin e paqes në Kishë, shën Joan Gojarti ndërtoi mbi varrin e këtyre martirëve një kishë në kujtim të tyre.
* * * * *
– DËSHMOR ANASTASI –
U paraqit vetë përpara persekutorëve tiranë (në një datë që nuk njihet), për të rrëfyer pa frikë besimin se Krishti është Perëndia i vërtetë, Krijuesi i gjithësisë dhe ripërtëritësi i gjindjes njerëzore nëpërmjet Mishërimit të Tij. Veprimi i guximshëm i shenjtit dhe qëndrueshmëria e fjalëve i bindën paganët për pafuqinë e tyre.
Ia prenë kokën dhe trupin e hodhën në det. Një grua besëmirë e gjeti trupin e tij në breg. E balsamosi dhe e vendosi në një kuti, pastaj e varrosi plot nderim.
Më pas u kujdes që të ndërtohej një kishë kushtuar shën Anastasit mbi varr. Lipsani i shenjtë kryen mrekulli të shumta.