Ti, Si do ta Presësh Krishtin?
“Maria si mori një litër miro prej nardi të papërzier, shumë të shtrenjtë, leu këmbët e Jisuit” v. 3.
Teksti i sotëm i Ungjillit, na paraqet një pritje të dyfishtë të Zotit. Njëra, private dhe jo publike, në Vithani, tjetra, publike dhe panigjirike, në Jerusalem.
Para pak kohësh Zoti në Vithani kishte ngjallur mikun e Tij Llazarin. Familja e Llazarit, ishte një familje e virgjër, e përbërë nga dy motrat Marta dhe Maria dhe nga vëllai i tyre Llazari. Këta diamantë të besës, me jetën e tyre të shkëlqyer dhe të bekuar, dhe që, me dashurinë e tyre, adhuronin Krishtin, ishin një fenomen i rrallë brenda ashpërsisë, që vihej re, në karakterin e shoqërisë së atëhershme. Një shoqëri, nga e cila mungonte butësia dhe ëmbëlsia ndaj Bamirësit.
Ky përjashtim i dallueshëm i familjes së Llazarit, e bënte shtëpinë e tyre të shkëlqejë me prezencën e Jisu Krishtit, sepse mbante brenda saj elementet adhuruese, me kuptimin simbolik dhe profetik, që ka veprimi i Maries. Ajo, duke shprehur mirënjohjen e gjithë familjes së saj, për ngjalljen e vëllait të saj Llazarit, bleu një sasi të madhe miro të shtrenjtë, me të cilën leu këmbët e Jisuit dhe i fshiu me flokët e saj. Shtëpia u mbush e gjitha me aromën e miros.
Skena ishte tronditëse. Por shkaktoi, shqetësimin hipokrit të Judës, i cili u ankua, gjoja, për shpërdorimin e miros, sepse paratë, që u dhanë për atë, mund t’u jepeshin të varfërve. Ungjillori, para se të na tregojë reagimin e Krishtit, na njofton se irritimi i Judës, nuk ishte i sinqertë, por hipokrit, sepse tradhtari i mëpasshëm, ishte hajdut dhe argjenddashës, dhe mbante arkën, nga e cila vazhdimisht merrte para. Zoti i tha të mos kundërveprojë dhe i ngjasoi veprimet e Maries me përkujdesjet mortore, që do pranonte ditën e varrimit të Tij.
Por, le të dëgjojmë, në këtë rast, veteranin e predikuesve, nga Mançesteri i Anglisë, protopresviterin Konstandin Kalinikun, me komentin karakteristik në këtë varg, nga fjalimet e tija praktike: “Përse ky shpërdorim? Shpërdorim, për Judën dhe për shokët e tij, duket çdo gjë, që nuk kthehet në para. Çdo gjë, që nuk hyn në arkën e tyre. Shpërdorim duket çdo gjë, që nuk kënaq pretendimet e tyre materialiste. Këta, të zbrazët nga jeta shpirtërore dhe në vend të zemrës së tyre kanë një kacek të zbrazët, përbuzin si çmenduri çdo sakrificë materiale në altarin e idesë. “Përse ky shpërdorim?” gumëzhijnë, vazhdimisht, si grerëza në veshët tanë. Përse nevojiteshin kaq shumë shpenzime, që të ndërtojë perandori Justinian shën Sofinë? Çfarë kërkojnë në shekullin e njëzet, murgjërit, murgeshat dhe manastiret? Cilin qëllim praktik realizojnë në edukimin e fëmijëve tanë Platoni, Homeri, Seneka dhe shkrimtarët e tjerë klasik? Le të pushojnë teoritë. Le të bëhemi më praktik. Le t’i shembim, si të tepërta dhe të panevojshme, manastiret dhe, nën rrënojat e tyre, le të varrosen dorëshkrimet dhe lipsanet e shenjta. Le ta shndërrojmë tokën në një fabrikë të pafund parash. Dhe nën gishtat tanë, shkolla, ndjenja, mendime, të gjitha le të shndërrohen në ar. Kemi nevojë për bukë dhe duhet të ushqehet varfëria… Këto thërrasin kolegët e Judës dhe nuk mendojnë se, “njeriu nuk jeton vetëm me bukë”. Mateu 4, 4.
Nëse gruri dhe paraja ishin nevojat e vetme të njeriut, Perëndia i mirë duhej të mbillte në tokë vetëm drithëra dhe duhej të depozitonte në gjirin e saj vetëm metale të çmuara. Megjithatë, bota, nga njëra anë, ka kallinjtë e saj të artë, dhe mban brenda saj arin dhe argjendin, por zbukurohet dhe me lule, me aroma, me flutura, me ujëvara, me vullkane, me re, me yje, me diellin, me njëmijë gjëra të tjera, nëpërmjet të cilave, përhap poezinë, nxit habinë, kultivon entuziazmin, kalit trupin dhe ushqen mendërisht shpirtin. Sa veprime, për ata që i matin të gjitha me metrin e interesit, janë të tepërta! Zoti, njeridashësi i vetëm, tha para pësimit të Tij shpëtimtar, si përgjigje ndaj Judës dhe kolegëve e tij: “Të varfërit do t’i keni gjithmonë pranë jush, mua nuk do të më keni”. Me fjalë të tjera, pabarazitë shoqërore, me gjithë ato që thonë utopistët, do të ekzistojnë deri në fund të botës dhe miqtë e lëmoshës do të gjejnë plotë shkaqe, që të ushtrojnë mirësinë e tyre, ndërsa, Perëndi të trupëzuar, vetëm njëherë pa bota.
“Nga njëra anë, është me shumë vlerë dëshira për të bërë lëmoshë, komenton shën Kirilli i Aleksandrisë, por nga ana tjetër, përparësi ka shprestaria ndaj Perëndisë. Kur ka vend për Perëndinë, aty do të ketë vend të bollshëm dhe për vëllezërit tanë të varfër.”
Dashuria e pastër e Marisë nuk përmban paqëndrueshmërinë e turmës, që e pret sot me hosana, me dafinat dhe degët, të cilat shumë shpejt do të shndërrohen në britmat “ngrije, ngrije, kryqëzoje” Joani 19, 15.Dashuria e saj ndaj Bamirësit të shtëpisë së tyre është kaq e paanë, saqë i ofron Atij gjënë më të shtrenjtë, që ka. Dhe vazhdon madje, përulet sa më shumë të jetë e mundur përpara Zotit, që t’i tregojë se vetëm Atë beson dhe vetëm Atë adhuron. Zoti e pranon, pra, miron e Maries. Provon dhe bekon veprimin e saj. Sepse veprimi i saj nuk ishte një entuziazëm i përkohshëm. Ishte një shfaqje e pastër e dashurisë së madhe dhe mirënjohjes së thellë, që kishte në zemrën e saj.
Por ne, vallë, a kemi dashuri dhe mirënjohje ndaj Zotit tonë? E pranojmë në shtëpinë tonë dhe në zemrën tonë me ndjenja adhurimi? E shprehim dashurinë dhe mirënjohjen tonë ndaj Çlirimtarit tonë, ashtu si Maria?
Sepse, edhe ndaj nesh, Krishti bëri aq shumë të mira. Na ruajti nga aq shumë rreziqe dhe ngasje. Na shpëtoi nga aksidente dhe nga vdekje shpirtërore e trupore. Ndihmoi shtëpinë tonë, familjen tonë, prindërit tanë, vëllezërit dhe fëmijët tanë. Zoti na viziton dhe me bekime të ndryshme, por edhe me sprova. Sprova, që nuk reshtin së qeni vizita të dashurisë së Perëndisë. Kur vuajmë, dëshmon shën Isak Siriani, dhimbja na bën të ndiejmë mëkatet tona. Vjen dhe në shtëpinë tonë me fjalën e Tij. Na bën “pjesëtarë të natyrës hyjnore” 2 Pjetrit 1, 4, me misteret e shenjta të Kishës së Tij.
Në kohën e adhurimit e ndjejmë Zotin, jo vetëm si diçka të pakufijshme, të madhe dhe të lartë, por edhe si një Person, që është shumë familjar për ne. Në kohën kur adhurojmë “Zotin e Fuqive”, brenda thellësisë së shpirtit tonë ekziston dhe një gëzim i fshehtë, sepse Ai është “Kryeja e Kishës”. Është vëllai ynë i parëlindur, që na do aq shumë, saqë derdhi Gjakun e Tij të shenjtë për secilin prej nesh. Kështu, pra, fitojmë një ndjenjë farefisnie. Jemi nga fisi i Perëndisë, bij të të Lartit, vëllezër të Jisu Krishtit. Kjo farefisni shpirtërore, na krijon dhe ndjenjën e besnikërisë.
“Ati ynë”,i themi dhe qetësohet shpirti ynë. Zemra jonë mbushet me gëzim. “Më ngazëllove me mallin tënd, o Krisht, dhe më ndryshove me dashurinë tënde hyjnore”, thërret i krishteri besnik. Atëherë e adhuron me të vërtetë të dashurin e tij. Kur, madje, kungon trupin dhe gjakun e Zotit. Vetëm kur ta duam edhe ne Krishtin, siç e deshi familja e Llazarit, do ta ndjejmë thellësisht dhe do ta adhurojmë. Zemra adhuron Krijuesin, jo krijesat dhe idhujt, që mbulojnë pamjen e Perëndisë së vërtetë. Juda, me kundërshtimet e tija, për adhurimin e vërtetë të Zotit, na përgjon fshehur. Por, le të mos i kushtojmë rëndësi. Le ta presim si Maria. Të sakrifikojmë diçka për dashurinë e Krishtit, pak kohë, duke vizituar një të sëmurë, pak mundim, duke i shërbyer një të pamunduri, të jetë gëzimi ynë, t’i bëjmë pak shoqëri dikujt, që rrihet nga vetmia e tij.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Le ta adhurojmë me të vërtetë “atë që vjen drejt pësimit me dashje, Mbretin tonë. Dhe le të mbushet shpirti ynë me gëzimin dhe triumfin e Çlirimtarit tonë. Për më tepër, prandaj mbajmë në duar simbolet e fitores”,dafinat e bekuara, që na ofron Kisha jonë, që të presim dhe të lavdërojmë Fitimtarin e vdekjes dhe të forcojmë besën për të pritur Ngjalljen dhe jetën e përjetshme, që Ai na dhuron.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
†IGNATI
Berat me 21.04.2019
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.