04 Δεκεμβρίου, 2018

Trumbetë Lufte të Përjetshme

Διαδώστε:

“Vishni gjithë armët e Perëndisë” v. 11.

Teksti i sotëm i Apostullit përbën një trumbetë lufte të përjetshme. Apostulli flet për luftën e padukur, që ka shpallur kundër njeriut, armiku i tij i tmerrshëm, djalli. Gjenerali i madh i frontit të Krishterë, shën Pavli, na fton sot, të mobilizohemi dhe të armatosemi shpirtërisht. “Vishni gjithë armët”, na thotë. Mos u trembni, por merrni armët dhe godisni armikun pa mëshirë! Na fton të gjithë në luftë: Burra, gra, pleq dhe të rinj. Le të ndjekim me vëmendje urdhrat, që jep Apostulli përluftar ndaj ushtarëve të krishterë.

* * *

I

Zoti Jisu Krisht, me vdekjen e Tij në Kryq, e dërrmoi dhe e turpëroi djallin. Kolosianëve 2, 15. Prapëseprapë i ligu, edhe pse i mundur nga Krishti, vazhdon të kundërshtojë veprën e Perëndisë, që është shpëtimi i njeriut dhe të ushtrojë ndikimin e tij prishës mbi besimtarët. Ky realitet, që do të vazhdojë deri në shfarosjen përfundimtare të fuqive kundër Perëndisë, gjatë Ardhjes së Dytë të Zotit, u imponon besimtarëve të qëndrojnë vigjilues dhe të luftojnë “kundër dredhive të djallit”.

Kjo luftë, nuk është e lehtë, sepse të krishterët nuk luftojnë kundër kundërshtarëve të barabartë, domethënë kundër njerëzve të ngjashëm me ata -“prej mishi e gjaku”-, por kundër fuqive të të ligut, që vazhdojnë të veprojnë brenda në botë, duke synuar t’i largojnë nga rruga e shpëtimit.

Lufta kundër djallit, nuk është e lehtë, sepse djalli nuk është i vetëm. Ka aleatë të fuqishëm, që e ndihmojnë në planet e tija të errëta; janë njerëzit e këqij, njerëzit e pabesë dhe të shthurur, që nuk derdhën kurrë lot pendimi, por të gjitha i përqeshin “ata të zgjuarit”, duke shpallur se nuk ekziston djalli, nuk ekziston ferri dhe, së fundi, nuk ekziston Perëndia.

Aleat tjetër i Satanait, i fortë madje, janë mangësitë dhe pasionet tona. Pasionet janë si zjarri, që djeg brenda zemrës sonë. Dhe në këtë zjarr Satanai hedh vajin e tij, që të ndizet më shumë. Satanai, shkon tek çdo njeri dhe, sipas dobësive që ka, e eksiton, që të bëjë një të keqe apo tjetrën.

Djalli, pra, na intrigon të gjithë. Dhe e godet secilin prej nesh në pikën e tij më të dobët. Atje, ku, dikush, është delikat, atje e qëllon. Njërin në trup, tjetrin në egoizëm dhe në lavdidashje. Një tjetër tek paraja… Njërit i sjell mendime dëshpërimi dhe zhgënjimi. Tjetrit mendime ateiste dhe të pabesa. Tek i treti shkakton kundërshtim ndaj Perëndisë dhe rënkim. Të tjerëve u lind frikëra dhe ankthe për të ardhmen… Oh, sa i tmerrshëm është armiku ynë! Dhe është i mbushur plot me “shigjeta të zjarrta”.

II

Jeta më Krishtin, ngjan me luftë, luftë të vazhdueshme dhe të ashpër, të cilën, që të mund ta kryejnë të krishterët, duhet të disponojnë shumë fuqi shpirtërore. Apostull Pavli, duke e ditur këtë të vërtetë, nga përvoja e tij personale, i nxit të krishterët e Efesit “të forcohen nga Zoti dhe nga pushteti i fuqisë së Tij” v. 10. Çdo luftë kërkon dhe armatimin përkatës. Prandaj dhe Apostulli i nxit të armatosen me armët e Perëndisë. Cilat janë, pra, armët e Perëndisë?

Fjala e Perëndisë. Ungjilli i Krishtit tonë. Dhe, cili është roli i këtyre në luftën kundër mëkatit? Është njësoj me rolin e hartës topografike për shtabin ushtarak, dhe “dylbitë” për oficerin e frontit, dhe gjerdani i fishekëve për ushtarin në luftë. Nëpërmjet tyre i krishteri shikon lëvizjet e armikut, dredhitë, dinakëritë dhe qëllimin e tij njerivrasës dhe të ligë.
Por dhe nga atje merr shigjetat për të zhdukur armikun. Kujtoni luftën e Krishtit në shkretëtirën e Tundimeve. Satanai u përpoq, që Ta mposhtte me vargjet e Shkrimit të Shenjtë! Por Zoti, me fjalët e Perëndisë, e përmbysi kundërshtarin. Shkrimi i Shenjtë, pra, është një repart mobilizimi dhe materialesh luftarake, gjurmues i shkëlqyer i linjave të armikut dhe mësues i përsosur i strategjisë. Çfarë na imponon tani me këtë? Studim taktik dhe dije të plotë të fjalës së Perëndisë.

Sipas këtyre, e studion me kujdes Ungjillin e shenjtë, dhe dëgjon shpesh predikime, dhe pranon këshilla nga fjala e Perëndisë? Nëse shkon i armatosur në luftë, do të fitosh patjetër. Por, mos tregohesh indiferent për këto? Dhe parapëlqen të lexosh gjëra të tjera të lira dhe të shikosh pamje të ndryshme për të kënaqur kureshtjen tënde dhe humbet kohën kot? I paarmatosur siç gjendesh, do të biesh patjetër në sulmin e parë të djallit. Kjo është fjala për të cilën shën Pavli na rekomandon sot, të ngjeshim shpatën e Shpirtit, që është fjala e Perëndisë. Por, a mjafton vetëm kjo?

Megjithatë, ekziston një mënyrë dhe një armë, që të mbrohemi kundër armikut të tmerrshëm. Çfarë arme është kjo? 2. “Parzmorja e besimit”. Parzmorja, është një mburojë e gjatë, që mbronte si një mur, trupin e luftëtarëve. Kështu duhet, që edhe besa të mbrojë besimtarin. Apostulli thotë kështu, një parzmore të gjatë, që të nënkuptojë besën e madhe, të plotë, e cila duhet të mbulojë gjithë ekzistencën e besimtarit luftëtar. Besa pra, duhet të jetë arma jonë, bashkë me gjithë armët e tjera, që përmenden në tekstin e sotëm. Në momentin e tundimeve, të cilat, siç thamë, na qëllojnë si “shigjeta të zjarrta”, besa, nëse është e fortë, mund të na mbrojë plotësisht.

Besa, në prezencën e Perëndisë, na ndihmon të ndiejmë, se përpara nesh gjendet Perëndia i gjallë dhe na shikon. Një ndjenjë e tillë e ruan njeriun, që të mos mëkatojë. A nuk ndodhi kështu dhe me Josifin e tërëmirë? Kur gruaja, egjiptiane e paturp e provokoi për mëkat, i riu i virtytshëm dhe trim, tha: “Si është e mundur të bëjë këtë dinakëri dhe të mëkatojë para Perëndisë, që më shikon?” Gjeneza 39, 9. Ja, pra, si u thye “shigjeta e zjarrtë e dinakut”, sepse ra mbi parzmoren e besës së Josifit të qashtër.

Bashkë me armën e besës, nevojitet së treti kujdes vigjilues. Sulmet e mëdha dhe robëritë e tmerrshme ndodhin kur rojet flenë dhe armët heshtin. Prandaj, dhe në vendroje, vazhdimisht jehon: “roje rrini zgjuar!” Sepse, dhe Satanai, këtë rast pret; ta gjejë të krishterin pa mendje dhe të papërgatitur. Atëherë i lëshon tundimet dhe i bën, më të dendura dhe më të rrëmbyeshme, sulmet e tij. Këtu, pra, nevojitet kujdes dhe ruajtje. Nëse besojmë, se armiku është mendjemprehtë, të kujdesemi gjithmonë, që të mos na mbështjellë në planet e tij dinake. Dhe, nëse Zoti na porosit, duke thënë, “rrini zgjuar” dhe shën Pavli përsëri “qëndroni vigjilues” dhe apostull Pjetri gjithashtu, “kini kujdes dhe rrini zgjuar”, i thërresin këto, sepse, dinakëria dhe mashtrimi i armikut, është i madh. Bashkë me vëmendjen nuk duhet të mungojë dhe: 4. Lutja e nxehtë ndaj Zotit.

Nëse i ligu është shumë dinak dhe mashtrues, Zoti i Tërëmirë dhe i Tërëfuqishëm na jep dorën e Tij, nëse edhe ne i ngremë duart në lutje. Ndryshe, si mund të mbijetojmë, pa fuqinë e Tij hyjnore? Lutja, kur është e rregullt, e nxehtë dhe e përulur, kur shoqërohet me besën e palëkundur dhe kungatën hyjnore, atëherë dhe njeriu bëhet i tërëfuqishëm dhe del fitimtar në luftë. Atje synon dhe nxitja e Zotit: “Vini re, rrini zgjuar dhe faluni” Marku 13, 33.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Në Zbulesën e hirshme, Shpirti i Perëndisë thotë: “Djalli zbriti tek ju, duke pasur zemërim të madh, sepse e di, se ka pak kohë” Zbulesa 12, 12. Dhe, ky urryes i njerëzve, lufton, që të na mundë dhe të bëhet “mbreti i errësirës së kësaj jete” v. 12 dhe të mbretërojë “ndaj bijve të mosbindjes” Efesianëve 5, 6. Le të mos i trembemi rrëmbimit të tij. Me besën e palëkundur tek i fuqishmi dhe “kryetari i besës, Zoti Jisu Krisht” Hebrenjve 12, 2, me “shpatën e fjalës së Perëndisë”, vëmendjen vigjiluese dhe lutjen e nxehtë, do të fitojmë, me vërtetimin, se, do të ulemi bashkë me Atë, ashtu siç Ai fitoi dhe u ul në fronin e Atit të Tij. Zbulesa 3, 21.

U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

† IGNATI

Berat me 02.12.2018

Διαδώστε: