07 Μαΐου, 2019

U çel veprimtaria “Feja dhe shoqëria, modeli shqiptar”

Διαδώστε:

 

Ditën e hënë, 6 maj 2019, në mjediset e Muzeut Kombëtar, në Tiranë, u çel veprimtaria “Feja dhe shoqëria, modeli shqiptar”. Ajo organizohet nga Instituti i Bashkëpunimit për Integrim dhe Zhvillim, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar dhe Arkivin e Shtetit. Kjo veprimtari synon të promovojë dhe kultivojë një vlerë të shquar dhe të dallueshme të shoqërisë shqiptare, bashkëjetesën e bashkësive fetare në harmoni dhe paqe.

 

Në veprimtari përshëndetën kryetarët e komuniteteve fetare: H. Bujar Spahiu, Kryepiskopi Anastas, Mons. Xhorxh Frendo, Baba Saliu në përfaqësi të Kryegjyshit Bektashian dhe z. Ylli Doçi.

Në fjalën e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Prof. dr. Anastasi, tha ndër të tjera: “Në periudhat e krizave të brendshme të vendit, bashkuam zërin dhe përpjekjet tona për të mbështetur dhe ndihmuar të pafuqishmit. Konstatuam në përgjithësi se sot çështjet konkrete për ta çuar më tej dialogun krijues midis komuniteteve të ndryshme fetare janë: mbrojtja e ambientit natyror, përballimi i varfërisë, pajtimi midis individëve dhe kombeve, zhvillimi, bioetika dhe kryesisht arritja e paqes në nivel lokal e botëror. Qëllimi i këtij dialogu nuk ishte vetëm toleranca fetare, por edhe bashkëjetesa paqësore. ”

Përshëndetën gjithashtu Kryetarja e Komunitetit të Kulteve, znj. Loreta Aliko, nënkryetari i Bashkisë, z. Andi Seferi dhe drejtues të institucioneve që kanë bashkëpunuar për këtë veprimtari.

Pastaj pjesëmarrësit vizituan një ekspozitë të hapur me këtë rast, me material nga të gjitha komunitetet fetare, nga Muzeu Kombëtar dhe Arkivi i Shtetit.

Veprimtaria do vazhdojë të martën, 7 maj, me vizita në objektet kryesore të kultit të secilit komunitet fetar.

Të mërkurën, 8 maj, do mbahet Konferenca “Integrimi i Shoqërive përmes Harmonisë Fetare dhe Bashkekzistencës, modeli Shqiptar”, ku do të referojnë studiues shqiptarë dhe të huaj.

Radio “Ngjallja”

Διαδώστε: