27 Ιουλίου, 2019

U zhvillua kampi 5–ditor me fëmijët e qytetit të Gramshit në Kishën Orthodhokse të “Shën Sotirit”

Διαδώστε:

Gramshi, është një qytet që shtrihet në pjesën juglindore të Shqipërisë. Sipas të dhënave statistikore të vitit 2015 ky qytet numëron 8400 banorë. Qyteti ka nje Pallat Kulture që quhet “Thoma Prifti” ku mblidhen fëmijët, te rinjtë dhe te gjithë të talentuarit ne fushën e artit dhe ku mund te shpalosin talentin e tyre në shumë drejtime si : këngë, valle popullore, humor etj. Gramshi është një qytet mjaft i gjallëruar dhe njëkohësisht një vend ku mund te jetosh i qetë, larg zhurmave dhe ajrit tejet të ndotur të qyteteve te mëdha.
Qyteti i Gramshit përballet me shumë probleme përsa i përket ekonomisë. Pas rënies së sistemit socialist dhe nga kalimi i ekonomisë nga ekonomi socialiste në ekonomi tregu, e dëmtoi rëndë ekonominë e këtij rrethi.
Një sërë uzinash e fabrikash të cilat u ngritën në periudhën socialiste dhe u siguronin punë një numri te madh te popullsisë, por që me privatizimin e tyre dolën mjaft të papunë. Investimet e mëdha në fushën hidrike gjatë viteve të fundit ofruan mundësi punësimi por me përfundimin e tyre sërish u rikthye papunësia.
Sot në këtë qytet ka mjaft të papunë ku pjesën më të madhe e zënë të rinjtë të cilët detyrohen të largohen jashtë vendit ose të zhvendosen drejt kryeqytetit.
Qyteti shquhet për mikpritjen, respektin e ndërsjellë dhe harmoninë fetare. Në këtë qytet jetojnë në harmoni të plotë Bektashinj, Sunitë, Orthodhoksë, Katolikë dhe Ungjillorë.
Me kërkesën e besimtarëve Orthodhoksë të qytetit u ngrit me financimin dhe kontributin e drejtpërdrejtë të Kryepiskopit Anastas, Kisha madhështore e “Metamorfozës së Krishtit” ose e njohur nga qytetarët si kisha e “Shën Sotirit” pranë Gjimnazit të qytetit “Shefqet Guzi”, në një vend piktoresk me pamje të mrekullueshme të Malit “Tomorr” buzë lumit të “Devollit”.
Përfundimi i punimeve për ngritjen e kishës, bëri që inagurimin e saj ta bënte vet Fortlumturia i Tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi. Menjëherë pas hapjes së saj, Kryepiskopi thirri pranë katekistët e “Zyrës së Katekizmit” duke i bekuar ata të nisnin veprën katekizuese për popullin besimtar të këtij qyteti, gjithashtu me përfundimet e studimeve në Akademinë Theologjike ” Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash Durrës, për këtë qytet u hirotonis në gradën priftërore At Mihal Prifti si Famulltar i kësaj enorie të shenjtë. Prej shumë vitesh pa ndërprerje vazhdon kjo vepër e cila tashmë ka marrë përmasa më të gjera ku përveç veprës katekizuese, baritore ofron vepra bamirësie, filantropike dhe kontribute financiare të cilat vetëm në tre vitet e fundit kanë kapur vlerën e mbi 30.000 euro ku përfshihen restaurime shtëpish, shpërndarje ushqimesh dhe veshmbathjesh, mensa “Shën Sotiri” për njerëzit në nevojë pranë ambienteve të Kishës. Një vepër kaq e gjerë e cila mbikqyret dhe mbështetet drejtpërsëdrejti nga Mitropoliti i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit Hirësi Andonit.
Përgjatë gjithë këtyre viteve është zhvilluar mësimi i katekizmit tek mijëra fëmijë, ku pjesë e Kishës nëpërmjet pagëzimit janë bërë rreth 200 prej tyre.
Një histori suksesi në këtë enori kanë qënë edhe kampet verore ku ndiqen prej një numri të madh fëmijësh edhe gjithashtu prindërish të cilët shoqërojnë fëmijët e tyre.
Këtë vit nga datat 22 korrik – 26 korrik u zhvillua në ambientet e kishës kampi për fëmijë me temë qendrore : “Kërkoni së pari Mbretërinë e Perëndisë” – ‘Çdonjëri prej nesh është i veçantë në sytë e Perëndisë’”. Temat që u trajtuan ishin: “Hyjlindësja – Nëna Mbretëreshë”; “Zoti Jisu Krisht – Shpëtimtari i gjithë botës”; “Zoti i do të gjithë fëmijët”; “Kisha – burim shenjtërimi”; “Metamorfoza e Shpëtimtarit”; “Fjetja e Hyjlindëses”. Kampi u zhvillua paradite edhe mbasdite për shkak të kërkesës së prindërve edhe dëshirës së fëmijëve. Në këtë kamp morën pjesë 80 fëmijë të moshave të ndryshme.
Përveç temave shpirtërore, nuk munguan lojërat, aktivitetet sportive, punët e dorës, mësime gatimi etj.
Gjithashtu të gjithë fëmijët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore ditën e Premte në nder të shenjtores së madhe “Shën Parashqevisë” ku ata u bënë vet pjesë duke ofruar ndihmë në Hierore (fëmijët e pagëzuar) por edhe gjatë Hyrjes së Vogël edhe të Madhe me lambadha nëpër duar. Fëmijët e pagëzuar u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Zotit. Mësuan himne, u lutën së bashku.
Ky kamp u drejtua nga prifti i famullisë At Mihali bashkë me At Petron dhe At Grigorin si edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tyre Ana Bërbati, Xhoni Pelushi, Kostandin Luçi, Andon Miraka, Anastas Moçi dhe Marjeta Trushi.
Një gëzim i madh për të gjithë kampin ishte edhe pagëzimi i mësuesit të historisë Kostandin Luçi i cili prej ditësh ndihmonte organizatorët e kampit.
Nuk munguan falenderimet e prindërve për gjithçka që kisha bën për fëmijët e tyre edhe për gjithë veprën filanthropike që komuniteti ka ndërmarrë.
Lavdi Perëndisë për të gjitha!

 

Famullia Orthodhokse “Metamorfoza e Zotit Krisht” – Shën Sotiri, Gramsh / Facebook

Διαδώστε: