Kishat e Vithkuqit dhe të Voskopojës janë monumente me vlera arkitekturore dhe artistike, frymëzuar nga trashëgimia e kultit bizantin, ato janë cilësuar si “Thesare Unike” në rajon e më gjerë.
Në kishën e Shën Gjergjit në Vithkuq, ekipi i mirëmbajtjes të DRKK Korçë, është duke vazhduar fazën e dytë të punimeve. Në fazën e parë u restaurua çatia dhe punimet po vazhdojnë me konsolidimin e elementëve të drurit në tavan, konsolidimin e suvasë ekzistuese, plotësimin e pjesëve të munguara.
Të gjitha punimet po kryhen duke përdorur materialet tradicionale. Tavani prej druri në kishë mendohet të mos jetë origjinal i tij por i vendosur në një fazë te dytë. Kjo fazë në objekt po ruhet me kujdes.
Vithkuqi ka 24 kisha. Ai zë vend të veçantë në Shqipëri, jo për numrin e tyre, por për arkitekturën dhe zbukurimin.
Në Vithkuq, të vjetra dhe me famë janë edhe kisha e Krye ëngjëjve, Shën Mërisë, Shën Spiridonit, Shën Kozmait, Shën Gjergjit, e shumë të tjera, kisha, që më së shumti kanë përhapur kulturë dhe dije, sesa predikime e ide fetare.
– ATSH