18 Οκτωβρίου, 2018

Vizitë e Kryepiskopit Anastas në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës

Διαδώστε:

“…Le të lartësojmë në ndërgjegjet tona, në shpirt dhe në zemër simbolin e Kryqit të Nderuar…”

– Liturgji Hyjnore në Lindjen e së Tërëshenjtës Mari në Dhërmi të Himarës –

– Festim për 20-vjetorin e themelimit të mirëfunksionimit të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër –

Kjo vizitë e bekuar e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit, në zona të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës ishte e ngjeshur dhe plot emocione. Duke marrë shkas nga e kremtja e Lindjes të së Tërëshenjtës Mari dhe nga veprimtaria që ishte përgatitur me rastin e 20-vjetorit të themelimit të shkollës së mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, Kryepiskopi përcolli kudo mesazhe shprese dhe vizion krijues, për të cilat ka aq shumë nevojë grigja Orthodhokse dhe më gjerë e gjithë shoqëria jonë në këto momente. Emocione të shumta, lutje falënderimi dhe vizion për të ardhmen, me një program të pasur, përbëjnë sintezën e kësaj vizite të bekuar të Fortlumturisë së Tij.

Në Dhërmi

Të shtunën, më 8 shtator, kur Kisha jonë nderon dhe kremton Lindjen e së Tërëshenjtës dhe Gjithmonë virgjërës Mari, Kryepiskopi Anastas kreu Liturgjinë Hyjnore në enorinë qendrore të Dhërmiut, në kishën e Shën Harallambit. Dhjetëra besimtarë mbushën kishën, ambientet e saj ndihmëse dhe oborrin, për të marrë pjesë në Misterin e mistereve dhe për të marrë bekimin e Kryebariut të Kishës sonë. Bashkëmeshoi me të edhe Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, priftërinj të zonës etj.

Në predikimin dhe përshëndetjen e rastit Kryepiskopi foli për figurën e Nënës së Tërëkulluar të Zotit tonë Jisu Krisht dhe në veçanti për heshtjen e saj të shenjtë. Heshtje bindjeje në momentin që iu ungjillëzua lajmi i mishërimit të Fjalës Perëndi, heshtje shpresëtarie kur në mërgim kujdesej për Birin e Perëndisë dhe heshtje durimi kur Ai pësonte në Kryq. Por edhe për momentet kur ajo flet në Ungjill: për të pranuar sa u porosit nga Kryeengjëlli, për të lavdëruar Perëndinë kur e vizitoi Elisabeta dhe për të kërkuar nga Biri dhe Perëndia ynë të shtonte harenë e njeriut në ngjarjen e Kanës.

“Le të frymëzojë kjo secilin nga ne, që duam të jemi bij të Perëndisë dhe që i lutemi Atij, tha Kryepiskopi, për të pasur më shumë unitet mes nesh, më shumë ndjenjë faljeje për njëri – tjetrin, predispozicion sakrifice dhe përgjegjësie për t’iu bindur dëshirës së Perëndisë.”

Së bashku me besimtarët e shumtë, në Liturgji dhe në gjithë takimet në vijim morën pjesë edhe personalitete të jetës shoqërore në zonë, punonjës të arsimit, bashkëpunëtorë të Kishës, si edhe Kryetari i Bashkisë lokale z. J. Goro.

Mesazhi i shpresës i Kryepiskopit Anastas dhe vizioni për të vijuar punën krijuese të Kishës sonë është konkret, për faktin se pavarësisht vështirësive, kohët e fundit komuniteti i besimtarëve të Dhërmiut dhe gjithë zonës së Himarës po përjetojnë me realitetin e rehabilitimit të plotë të Manastirit dikur të Hirshëm të Shën Theodhorëve, me iniciativën, kujdesin e veçantë dhe fonde të siguruara nga ai. Nëpërmjet fjalëve të priftit të tyre besimtarët shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për këtë mrekulli të pabesueshme deri pak kohë më parë.

Kryepiskopi i lavdëroi dhe nxiti ata për të vijuar në përkushtimin në besën Orthodhokse, duke kujtuar edhe atë Liturgji Hyjnore në gushtin e vitit 1991, me pjesëmarrje dhe përdëllimtari të veçantë, që ishte një faktor mbështetës në situatën e errët që mbizotëronte dhe vendimet përcaktuese që duheshin marrë.

Kryepiskopi Anastas, duke konkretizuar optimizmin për të ardhmen u komunikoi besimtarëve përpjekjen për zgjerimin më tej të Kolegjit Universitar “Logos” me Fakultetin e Shkencave Humane dhe degët e reja të Theologjisë, Gjuhës Helenike dhe Pedagogjisë, për objektivin e kërkimit të mundësive për një Lice të fondacionit “Frymë e Dashurie” në zonën e tyre dhe rijetëzimin më tej përmes veprimtarive shpirtërore të Manastirit të Shën Theodhorëve.

Kryepiskopi vizitoi edhe kishën e Shën Athanasit që po ringrihet pas peripecisë së njohur në verën e vitit 2016. Ishte një sakrilegj që u bë më i rëndë nga referenca personash politikë se gjoja u rrënua një garazh dhe jo një kishë e lidhur ngushtë me ndërgjegjen dhe jetën adhuruese të komunitetit Orthodhoks lokal.
Kryepiskopi erdhi në Mitropolinë e Gjirokastrës pas disa veprimtarive të zhvilluara në ishullin e Korfuzit, ku në një veprimtari mbresëlënëse u nderua nga diaspora e 7 ishujve jonianë dhe prefektura përgjegjëse.

Në Gjirokastër

Veprimtaria qendrore gjatë vizitës të Kryepiskopit Anastas në Gjirokastër ishte përkujtimi i 20-vjetorit të themelimit të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, të dielën, më 9 shtator, që përkoi me kremtimin Para Lartësimit të Kryqit të Nderuar.

Liturgjia Hyjnore u krye në Kishën Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, e kryesuar nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, në bashkëmeshim me Mitropolitin e Gjirokastrës, Dhimitrin dhe Mitropolitin e Kinsashës (Kongo), Niqiforin. Besimtarë të shumtë dhe në veçanti të rinj ish-nxënës të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, bashkuan lutjen e tyre të falënderimit për dhuratat e pasura të Perëndisë, për vijimin e mbarë të kontributit të shkollës, por edhe për Kryebariun tonë, themelues dhe gjallërues i kësaj qendre të hierapostullimit të shoqërisë sonë.

Mitropoliti i Kinshasës, Niqifori, bashkëpunëtor i Kryepiskopit Anastas dhe drejtori i parë i Liceut Kishtar, mbajti predikimin e ditës për besimtarët. Foli për karakteristikat e besimit të gjallë Orthodhoks ndaj Perëndisë. I konkretizoi këto cilësi në personin e Kryepiskopit Anastas, i cili, duke përjetuar dashurinë për Zotin Jisu Krisht, e përcjell atë ndaj çdo personi pa dallim kombësie, ngjyre apo besimi. Mitropoliti Niqifor foli për përvojën e vyer hierapostolike nën shembullin e Kryepiskopit Anastas në Kishën e Shqipërisë dhe theksoi se, se kontributi në ngritjen e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar”, ishte për atë përvojë e vyer në misionin që ka tani, në baritimin e grigjës Orthodhokse të Kongos, në Afrikë. Aty ku janë aq të gjalla kujtimet për praninë, veprën dhe frymën që përcolli Kryepiskopi Anastas në atë kontinent.

Kryepiskopi Anastas duke iu drejtuar besimtarëve pjesëmarrës, foli për të kremten që presim, atë të Lartësimit të Kryqit të Nderuar. Ai ëri një paralelizëm të gjallë midis faktit se bota Orthodhokse kremton rimarrjen e simbolit të pësimeve të Zotit dhe Perëndisë sonë dhe faktit se për dekada në Shqipëri këtë simbol u përpoqën ta grabisin nga shpirti i njerëzve. Kryepiskopi shprehu shqetësim për faktin, se edhe sot janë të shumta pseudoshtysat për të na mbajtur larg nga thelbi i besimit të Krishterë, që shprehet në Kryqin e Nderuar. Orthodhoksi që refuzon mesazhin apo besimtari që nuk e duron kryqin personal në çfarëdo forme apo dimensioni që ai vjen, nuk janë të vërtetë. Prandaj Fortlumturia e Tij i nxiti besimtarët, që, duke ecur drejt të Kremtes së Lartësimit të Kryqit të Nderuar, ta ruajnë atë në ndërgjegjet, në zemrat dhe në shpirtin e tyre, si mbrojtës të pamposhtur, burim të pashterur jete dhe ngjalljeje.

Veprimtaria festive vijoi në sallën e veprimtarive të kompleksit orthodhoks, ku ndodhet edhe shkolla dhe konvikti i saj kishtar. Ish-nxënës dhe nxënës të shkollës, ish-mësues dhe mësues, personeli ndihmës dhe bashkëpunëtorë që mbështesin shkollën morën pjesë në aktivitetin shpirtëror dhe festiv që ishte përgatitur nën kujdesin e Mitropolitit Dhimitër dhe që ka për të lënë gjurmë në jetën shpirtërore të komunitetit lokal Orthodhoks dhe më gjerë.

Përshëndetën ish drejtues të Shkollës: Mitropoliti Niqifor, z. V. Kuco- zv.drejtor dhe drejtori aktual z. A. Bei. Në emër të ish-nxënësve foli dhjakoni Kristo Xhaferi dhe nga komuniteti i nxënësve E. Duko. Më tej përshëndetën Rektori i Universitetit të Janinës, z. Jorgo Kapsali etj. Rreth historikut dhe evoluimit të Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” foli mësuesi i saj, z. S. Koti. Kori i shkollës, i plotësuar me ish-nxënës, e mbushi atmosferën festive me himne të Kishës sonë.

Kryepiskopi Anastas shprehu emocionet për frytet e arritura: Janë tashmë 230 ish-nxënësit e saj, të gjithë me bursa të plota të dhëna nga Fortlumturia e Tij. Ata sot janë kryefamiljarë të përgjegjshëm, të diplomuar në fusha të ndryshme, shkencëtarë dhe profesionistë të suksesshëm, punëtorë të Ungjillit dhe kuadro në veprimtari të ndryshme të Kishës sonë, por asnjëherë nuk harrojnë përjetimin e besimit Orthodhoks dhe në vitet e jetës së përbashkët në këtë institucion.

Kryepiskopi i nxiti anëtarët e komunitetit të ish-nxënësve të Liceut të krijojnë dhe të institucionalizojnë Vëllazërinë e tyre të Nxënësve të Kryqit të Nderuar, dhe si akt të tyre të parë të përgatisin librin dedikuar shkollës dhe kontributit të saj.

Kryepiskopi Anastas, duke iu referuar karakteristikës kryesore të fizionomisë së shkollës, të lirisë dhe respektit të saj të plotë për të gjithë sa janë pranuar dhe pranohen, pa kushtëzim në bursë apo të tjera, u kujtoi objektivin e saj bazik, për të mbjellë farën e thirrjes hieratike. “Nevojat e vendit tonë janë të shumta, përsëriti Kryepiskopi. Por, parësore mbetet ajo për më shumë priftërinj orthodhoksë, mbartës të mesazhit të pendesës, të mesazhit se po vjen Mbretëria e Perëndisë, të Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht dhe ngushëllimit të popullit të Tij.” Ai iu referua përvojës së tij personale dhe vendimit për t’iu dedikuar klerit, si një mundësi që kushdo ta ndiejë thirrjen pavarësisht nga mosha.

Në drekën e rastit për të gjithë të ftuarit, ish-nxënësit të ardhur nga shumë vende të vendit, punonjës të arsimit etj., u lexua edhe urimi nga Mitropoliti i Fierit, Nikolla, ndërsa përshëndetën edhe nxënës dhe ish-nxënës duke përcjellë emocione të ditës, kujtime nga jeta e tyre në shkollë he mbresa të përjetimit të besimit dhe të mistereve të Kishës sonë.

Διαδώστε: