23 Ιουλίου, 2019

Zbulohet qyteti antik filistin ku strehohej mbreti David

Διαδώστε:

Së fundmi u zhvillua një ekspeditë e përbashkët mes hulumtuesish të ndryshëm nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit, Autoritetet e Trashëgimisë kulturore dhe Antikitetit në Izrael dhe Universiteti Macquarie në Sidnei të Australisë. Kjo ekspeditë thuhet se ka rezultuar në zbulimin e qytetit të vjetër biblik të Ziklagut, qytetin Filistinez ku u strehua Davidi gjatë kohës së përndjekjes nga Mbreti Saul.

Sipas raportimeve të “The Jerusalem Post”, gërmimet në Khirbet al’Ra, të ndodhur ndërmjet Kiryat Gat dhe Lachish filluan që në vitin 2015, nën udhëheqjen e drejtorit të Institutit të Arkeologjisë në Universitetin Hebraik, Prof. Yosef Garfinkel.

Vendbanimi në fjalë daton që nga shek. XII p.K. Sipërfaqja e gërmuar është rreth 1000 m₂. U zbuluan struktura shkëmbinjsh dhe gurësh të mëdhenj, karakteristike për kulturën Filistinase të asaj kohe. U gjetën gjithashtu edhe enë guri dhe metalike, të ngjashme me të tjera objekte që i përkasin të njëjtës kulturë, që dolën në dritë në gërmime të mëparshme në qytete të hershme Filistine si Ashdod, Ashkelon, Ekron dhe Gat.

Arkeologët kishin sugjeruar një sërë vendndodhjesh të mundshmeku mund të gjendej qyteti i Ziklagut, përfshirë Tel Halifin pranë Kibbutz Lahaf, Tel Shara në kahun perëndimor të Negevit dhe Tel Shevan.

Megjithatë, sipas studiuesve, në vendet e lartpërmendura nuk u gjend asnjë lidhje që të dëshmonte për ndonjë vendbanim Filistin dhe një që i takonte kohës së Davidit. Një lidhje e tillë u gjend vetëm në Khirbet al-Ra’i, ku ndodhej një vendbanim që datonte që nga shek. X p.K dhe që përkonte me kohën e mbretit David, dhe gjithashtu mbetje të një ish qyteti filistin të shkatërruar nga zjarri.

Ndër objektet e gjendura ishin një numër i madh enësh prej balte, të ngjashme me enë të gjendura në qytetin e Khirbet Qeiyafa (ose She’arayim-in që përmendet në Bibël). U zbuluan gjithashtu shumë shtamba qeramike, që përdoreshin për të mbajtur vajin dhe verën, si dhe pjata, kana etj. Me zbukurime tipike të periudhës së Davidit.

Emri Ziklag dëshmon për origjinën e banorëve të tij të dikurshëm. Nuk është emër vendas Semitik por Filistin, gjë që tregon se Filistinët nuk ishin autoktonë në Izrael por të ardhur nga Evropa.

Ky qytet përmendet disa herë në Shkrimin e Shenjtë, më së shumti në librin e Samuelit (1 Sam. 27), si vendi që iu dha Davidit nga mbreti i Gathit, Akishi, për t’u strehuar gjatë kohës që përndiqej nga Sauli. Ai e përdorte Ziklagun për të bërë plaçkitje në vendin e geshuritëve, girzitëve dhe amalekitëve. Më pas, sipas të dhënave të Biblës, qyteti në fjalë u pushtua nga amalekitët dhe popullsia vendase u skllavërua. Pas vdekjes së Mbretit Saul në betejën me Filistinët, Davidi u largua nga aty dhe udhëtoi për në Hebron, ku edhe u shpall Mbret i Izraelit.

radiongjallja.org

Διαδώστε: