Sipas raportimeve të National Geographic, historianët më parë mendonin se ishte pikërisht Mbreti Herod ai që urdhëroi realizimin e projekteve të shumta të infrastrukturës, për ta kthyer Jerusalemin në një qendër pelegrinësh. Megjithatë, pas vëzhgimit të rreth 100 monedhave që u gjendën poshtë shkallëve të lashta, u vërtetua se ndërtimi i tyre ishte bërë me urdhër të Pontit Pilat, qeverisja e të cilit filloi në vitin 26 apo 27 ps.K..
“Monedha më e re e gjendur poshtë gurëve të shkallëve i takon vitit 31 ps.K., ndërkohë që monedhat e zakonshme që përdoreshin në Jerusalem gjatë shek.I u prodhuan pas vitit 40 ps.K.. Kjo do të thotë se rruga në fjalë u ndërtua para se të prodhoheshin ato, pra në kohën e qeverisjes së Pilatit.” – shpjegoi Donald Ariel, një nga ekspertët e monedhave.
Për ndërtimin e kësaj rruge u deshën 10 vjet. Gjerësia arrin në më shumë se 7 metra dhe është rreth 500 m e gjatë. Për ndërtimin e saj u përdor 10.000 ton gur gëlqeror.
Ajo i erdhi në ndihmë pelegrinëve të shumtë judenj, të cilët, sipas urdhërimit biblik, duhet të shkonin në Tempullin e Jerusalemit të paktën 3 herë në vit, për të blatuar therore, konkretisht për fetën e Pashkës, Shavuot (Pentikostisë) dhe Sukoth (Festën e Tabernakullit).
Të gjitha ngjarjet biblike lidhen pikërisht me këto vende. Pellgu i Siloamit, Qyteti i Davidit, mali Moriah ( Gjen.22:2) Tempulli, të gjitha këto lidhen nëpërmjet kësaj rruge.
Judenjtë e hershëm e nisnin pelegrinazhin e tyre nga pellgu i Soloamit, një pellg i madh (heb. Mikveh) ku bëhej rituali pastrues, përpara hyrjes në Tempull. Ky pellg kishte madhësinë e dy pishinave olimpike.
Gjatë shek. I, numri i pelegrinëve gjatë festave të lartpërmendura arrinte deri në më shumë se 2 milion. Kjo shpjegon edhe madhësinë e Siloamit.
Në Dhiatën e Re kemi një referencë të këtij pellgu, ku Jisui i thotë të verbrit të shkojë e të lahet në këtë vend, që të mund të shohë përsëri. Vendndodhja e tij ishte e pazbuluar deri përpara 15 vitesh, kur rrjedhja e kanaleve i detyroi arkeologët të gërmonin dhe të arrinin në këtë zbulim.
Duke menduar më tej se si arrinin pelegrinët që të shkonin nga Siloami në Tempull, arkeologët vazhduan gërmimet e tyre, të cilat rezultuan në zbulimin e kësaj rruge.
Kreu i Marrëdhënieve Ndërkombërate, Orenstein, duke u përpjekur të krijojë një tablo të qytetit të atëhershëm, thotë se i ngjasonte një sheshi kryesor të qyteteve të sotme. Rrugët ishin rreth 4-5 herë më të gjera se sot, dhe në të dyja anët e tyre kishte dyqane nga më të ndryshmet. Ky vend nuk ishte vetëm një qendër shpirtërore, por edhe tregtare.
Menaxheri i Gërmimeve z. Ari Levy shprehet se problemi qëndron në faktin se i gjithë qyteti i sotëm është ndërtuar pikërisht aty ku kanë qenë gjurmët e të lashtit. Rruga për të cilën flasim, e cila atëherë ishte e ekspozuar, tani gjendet nën tokë, poshtë lagjes arabe të Siloamit. Pra kur hyn në të, duket sikur je në një tunel.
Një pjesë e rrugës është ruajtur mirë, ndërsa fragmente të saj janë dëmtuar shumë përgjatë historisë së ashpër dhe luftërave.
Një pjesë e rrugës do të hapet së shpejti edhe për vizitorët, dhe brenda disa vitesh do të jetë e gjitha e aksesueshme, që nga pellgu i Siloamit e deri në murin Perëndimor.
Përktheu për Radio “Ngjallja” : Ana Bërbati
- Burimi: www1.cbn.com & radiongjallja.org